Sekretarja Shabani Mullarama prezanton reformat për tranzicion të drejtë energjetik në panelin e Javës së Gruas
Prishtinë, 26 mars 2026 – Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, mori pjesë në panelin “Tranzicioni i Drejtë i Energjisë në Kosovë: nga politikat në zbatimin lokal”, në kuadër të edicionit të 13-të të Javës së Gruas (WoW).
Gjatë panelit, Sekretarja Shabani Mullarama theksoi se tranzicioni energjetik në Kosovë po zbatohet përmes reformave konkrete dhe politikave strategjike, duke përfshirë Strategjinë e Energjisë 2022–2031, ankandet për energji të ripërtërishme, projektet Solar4Kosovo, si dhe programet për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Ajo vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit me komunat dhe përfshirjes së komunitetit në zbatimin e politikave energjetike, si dhe në integrimin e aspekteve sociale dhe gjinore përmes vlerësimit të ndikimit gjinor, buxhetimit gjinor dhe skemave të subvencionimit që mbështesin familjet në nevojë dhe reduktojnë varfërinë energjetike.
Në përfundim, ajo theksoi se tranzicioni energjetik është një proces gjithëpërfshirës që kërkon bashkëpunimin e institucioneve, partnerëve dhe qytetarëve, me synimin që askush të mos mbetet pas.


