Ministrja Rizvanolli paneliste në “French Business Day in Kosovo 2026” 

Prishtinë, 05.02.2026 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë si paneliste në edicionin e parë, një forum i nivelit të lartë me rreth 50 biznese pjesëmarrëse, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investues ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe promovimin e Kosovës si një destinacion gjithnjë e më atraktiv për investime ndërkombëtare.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve qeveritare, komunitetit diplomatik, organizatave financiare ndërkombëtare, investitorë dhe kompani lidere nga Franca, Kosova dhe rajoni, duke shërbyer si platformë për dialog strategjik, shkëmbim përvojash dhe ndërtim partneritetesh konkrete.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze. Ai theksoi se vendi po zgjeron bashkëpunimin tregtar me Evropën dhe rajonin, ndërsa stabiliteti institucional ofron siguri, parashikueshmëri dhe disiplinë fiskale për bizneset.

Në panelin me temën “Tranzicioni energjetik i Kosovës: çfarë është arritur dhe çfarë pritet më pas?”, i përbërë nga: Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë, Arnaud Daphin, Drejtor i Chez AFD -Agjencia franceze për Zhvillim, Sergiy Maslichenko, Udhëheqës i BERZH-it në Kosovë, Nicolas Palissier, Lovro Mirkovič, përfaqësues nga Akuo Energy për Evropën Qendrore, Moritz Reme, Udhëheqës i Zyrës së KFW-së për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Louis Boisgibault, Ekspert për Tranzicionin Energjetik në Kabinet të Ministres dhe moderator i panelit.

Para të pranishmëve, Ministrja Rizvanolli prezantoi arritjet dhe prioritetet kryesore në sektorin e energjisë, me fokus, investimet në energji të ripërtëritshme, ngrohja qendrore, bashkëpunimi rajonal dhe eficienca e energjisë, të cilat mbeten shtyllat kryesore të politikave energjetike të Kosovës, duke synuar të rrisin besimin e investitorëve dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e sistemit

Ajo theksoi se projektet në energji të ripërtëritshme po realizohen përmes procedurave transparente dhe konkurruese, duke përmendur ankandin e parë të energjisë nga era, ku është kualifikuar edhe kompania franceze Aqua Energy. Sipas saj, këto procese kanë rritur besimin e investitorëve dhe kanë forcuar imazhin e Kosovës si një vend i qeverisur me transparencë.

Rizvanolli vuri në pah rëndësinë e zgjerimit të sistemeve të ngrohjes qendrore në qytete të tjera të Kosovës, duke theksuar se studimet e fizibilitetit tashmë janë përfunduar dhe se këto investime do të kontribuojnë në uljen e ngarkesës në sistemin elektroenergjetik, veçanërisht gjatë pikut dimëror.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për integrimin e burimeve të ripërtëritshme në rrjet, si dhe rolin kyç të eficiencës së energjisë, duke nënvizuar se Kosova ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësim në uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e performancës ekonomike.

Sipas saj, këto investime do të kontribuojnë në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, veçanërisht gjatë pikut dimëror, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e rrjetit.

Gjatë forumit u diskutuan gjithashtu zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, partneritetet publiko-private si instrument për zhvillim ekonomik, si dhe roli i Kosovës në teknologji dhe inovacion. Pjesëmarrja e institucioneve evropiane dhe kompanive multinacionale dëshmoi interesin në rritje për tregun kosovar.

French Business Day in Kosovo 2026 shërbeu edhe si platformë konkrete për takime B2B dhe B2G, duke hapur mundësi për bashkëpunime të reja dhe projekte investimi ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Edicioni i parë i këtij forumi vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut ekonomik dhe partneriteteve afatgjata ndërmjet vendeve.