Mbahet takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë në Kosovë
Pristhinë, 03.12.2025 – Me qëllim përshpejtimin e Tranzicionit Energjetik në Kosovë, është zhvilluar sot takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë në Kosovë, ku Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, theksoi rëndësinë e këtij projekti në ndërtimin e një sektori energjetik më të pastër, më efiçientë dhe më të qëndrueshëm.
Ajo rikujtoi se rreth 90% e energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të prodhohet nga impiantet e vjetra të linjitit, ndërsa ndërtesat përbëjnë mbi 40% të konsumit të energjisë, me shumë familje që përballen me kosto të larta të energjisë dhe mungesë të izolimit adekuat.
Në këtë kuadër, projekti adreson sfidat aktuale përmes pesë shtyllave kryesore:
● Përmirësimi i bazës ligjore dhe rregullatore
● Zhvillimi i mekanizmave të rinj të financimit për investime në energji të pastër
● Rritja e informimit dhe përfshirjes së qytetarëve
● Fuqizimi i komunave dhe hartimi i Planeve Lokale për Energji dhe Klimë dhe
● Nxitja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë
Shabani-Mullarama theksoi gjithashtu mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në zbatimin e ligjeve të reja për efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtëritshme, direktivat për performancën energjetike të ndërtesave dhe harmonizimin me Paketën e Energjisë së Pastër të BE-së.
Ky projekt, i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe BMZ – Gjermani, i zbatuar nga GIZ në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, synon të krijojë themele afatgjata për energjinë e pastër dhe përdorimin më efiçient të energjisë gjatë periudhës 2025–2028.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të GIZ, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, MMPHI-së, KOSTT-it, EBRD-së, Asociacionit të Komunave të Kosovës, Ambasadës së Gjermanisë, UNDP dhe LUXDev.




