Ftohen bizneset dhe palët e interesit në sesionin e dytë informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, nesër hapen aplikimet

Ministria e Ekonomisë i fton bizneset dhe palët e interesit që të marrin pjesë në sesionin e dytë informues rreth Skemës së Granteve për Energji të Pastër, i cili mbahet të hënën më datë, 24.11.2025 nga ora 10:00-12:00, në Hotel Sirius, Prishtinë.

Mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Dukatit të Madhe të Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Ndërmarrjet të cilat mund të aplikojnë:

  • Janë ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), ose janë ndërmarrje të mëdha dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike;
  • Kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar ose sekondar.

Të gjitha bizneset e interesuara mund të informohen rreth kësaj thirrje publike, duke shqyrtuar me kujdes kriteret dhe kushtet e përcaktuara në udhëzuesit më poshtë. Kjo skemë mbështet bizneset prodhuese dhe përpunuese që duan të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të cilat përfshijnë masat e mëposhtme:

  • Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.
  • Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve.
  • Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:

  • Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike,
  • Sisteme solare për ngrohjen e ujit,
  • Efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
  • Bateri për sisteme solare FV, si dhe
  • Shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.

Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:

  • deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
  • deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.

Për më shumë informacion mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet e thirrjes, ju lutem shikoni linkun: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021  ndërsa aplikimi bëhet përmes platformës eKosova: https://ekosova.rks-gov.net/