Ministria e Ekonomisë dhuron pajisje të IT-së për shkollat e Shtimes
Prishtinë, 07.07.2025 – Ministria e Ekonomisë ka dhuruar një sërë pajisjesh të teknologjisë së informacionit për disa shkolla në Komunën e Shtimes, duke u mundësuar nxënësve dhe stafit mësimdhënës të kenë kushte më të mira për mësim dhe punë.
Në kuadër të këtij donacioni, janë dorëzuar 21 kompjuterë, 13 printerë të rinj, 11 printerë të përdorur si dhe një pajisje fotokopjuese, të gjitha në gjendje funksionale dhe të gatshme për përdorim në procesin mësimor.
Falë këtij angazhimi, tashmë çdo shkollë përfituese do të ketë mundësinë të ketë pajisjet e nevojshme në ambientet e veta: printerë për dokumentacionin dhe materialet mësimore dhe kompjuterë e monitorë për zhvillimin e njohurive në fushën e teknologjisë. Ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të nxënit dhe në rritjen e kompetencave digjitale të gjeneratave të reja.
Ministria e Ekonomisë ka vendosur që këto pajisje, të cilat nuk ishin më në përdorim nga institucionet qendrore, t’u vihen në dispozicion shkollave që kanë nevojë reale për to, si në rastin e Shtimes, pas interesimit dhe bashkëpunimit me autoritetet komunale.