Mbahet Seminari informues për biznese në tregun e hapur të energjisë elektrike

Prishtinë, 10.06.2025 – Në vazhdën e diskutimeve për liberalizimin e tregut të energjisë, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime kanë mbajtur seminarin informues për biznese në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Seminari dy ditor ka për qëllim zhvillimin e dialogut publiko-privat për liberalizimin e tregut të energjisë dhe vjen si nevojë për sqarime shtesë për biznese që tashmë kanë dal në tregun e hapur për furnizim me energji elektrike.

Skender Muqolli nga Departamenti i Tregut për Energji në ZRRE në këtë seminar dha sqarime mbi liberalizimin e tregut dhe bazën ligjore ku bazohet ky proces.

Ndërsa, Arben Kllokoqi, ekspert i tregut të energjisë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, prezantoi mekanizmat për vendosjen e çmimit të tregut, teksa fol edhe për ofertat dhe kushtet kontraktuale.

Në ditën e parë të seminarit, u diskutua mënyra si funksionon tregu i hapur i energjisë, si formohet çmimi, çfarë duhet të përmbajë një kontratë furnizimi, dhe çfarë të kërkojnë nga ofertat që marrin nga furnizuesit bizneset të cilat kanë dalë në treg të hapur.

Ata shpjeguan konkretisht hapat që bizneset duhet të ndjekin për të lidhur kontrata me furnizues të licencuar.

Ndërsa nesër, në ditën e dytë të seminarit, KEK do të prezantojë mbi rolin e furnizuesit të mundësisë së fundit, për të vazhduar me diskutim të hapur rreth ofertave të furnizimit dhe praktikave kontraktuale me Arben Kllokoqin nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Andaj, edhe bizneset të cilat nuk kanë qenë pjesëmarrëse sot inkurajohen të bashkëngjiten nesër.

Linku për regjistrim:

https://forms.gle/UaAkE3PCWfDDvRR