Kryeministri Kurti e ministrja Rizvanolli vizitojnë ndërtesat sociale në Gjilan, ku po investohet në efiçencë të energjisë
Gjilan, 06.05.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituarat dy ndërtesa sociale në qytetin e Gjilanit, ku po realizohet një investim i rëndësishëm për rritjen e eficiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.
Në këto ndërtesa po kryhet izolimi i çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve të vjetruara, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri. Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe pjesëmarrje komunale prej 10%.
“Në Gjilan, kemi ardhur për të parë nga afër një transformim të jetës së qytetarëve, nga kushte të vështira, në një jetesë më të denjë e më të ngrohtë. Ne nuk ndërtojmë vetëm mure më të forta, por ndërtojmë dinjitet, siguri dhe shpresë për qindra qytetarë”, tha Kurti.
Në Gjilan janë duke u renovuar dy ndërtesa sociale të ndërtuara në vitin 2005, të cilat për vite me radhë kanë qenë pa izolim adekuat dhe me humbje të mëdha të energjisë. Investimi total prej 432,560.60 euro do të përmirësojë drejtpërdrejt jetesën e 53 familjeve, prej të cilave 8 të udhëhequra nga gra kryefamiljare, duke përfshirë mbi 210 banorë të Gjilanit.
Kjo ndërhyrje është pjesë e një programi më të gjerë për renovimin e 25 ndërtesave sociale në gjithë Kosovën, me vlerë mbi 6 milionë euro, që po arrin të sigurojë kushte më të mira jetese për komunitetet më të cenueshme, duke kursyer energji dhe duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa Ministrja Rizvanolli theksoi se “Kursimi i energjisë mbi 80% duke ulur ndjeshëm shpenzimet dhe duke përmirësuar kushtet e jetesës nuk është vetëm çështje teknike, është drejtësi sociale, ekonomike dhe mjedisore”.
Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri tani:
- 3,000 familje me izolim të shtëpive,
- Mbi 40,000 familje me pajisje eficiente dhe panele solare,
- 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale, janë renovuar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për qindra mijëra qytetarë.
Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.