Një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve energjetike: 3 kompani kualifikohen me sukses për ndërtimin e impiantit të erës
Prishtinë, 18.04.2025 – Pas suksesit të ankandit të parë për energji solare, vitin e kaluar kemi lansuar ankandin e parë për energji nga era me kapacitet prej 100MW, me përkrahjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Më 20 shkurt, për këtë ankand kemi pranuar 3 aplikacione nga kompani ndërkombëtare si në vijim:
• Akuo Energy nga Franca,
• Güriş nga Turqia dhe
• Konsorciumi Notus/Stublla Energy nga Gjermania dhe Kosova
Komisioni vlerësues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe ka vlerësuar se të tre aplikuesit i përmbushin kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë të garës, ndërsa më vonë, ata kalojnë në fazën e dytë të procesit.
Në ditët në vijim, Ministria e Ekonomisë do të shpallë Kërkesën për Propozime për këto kompani të kualifikuara, proces ky, i cili do të zgjasë rreth 6 muaj dhe do të zhvillohet me standardet më të larta të transparencës.
Gjatë kësaj periudhe, do të organizohet konferenca e para-ofertimit me investitorët e kualifikuar, ku së bashku me IFC-në do të prezantojmë strukturën e projektit dhe detajet kryesore të marrëveshjeve kontraktuale.
Pas kësaj, do të jetë edhe faza e pyetjeve dhe përgjigjeve për të lejuar finalizimin e dokumentacionit të plotë mbi të cilin kompanitë do të dorëzojnë ofertat e tyre.
Pasi të pranohen propozimet, komisioni do të vlerësojë përmbushjen e të gjitha kritereve ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale ku vetëm ofertat që i plotësojnë këto kritere do të kalojnë në hapjen e ofertave financiare.
Fituesi i projektit do të përzgjidhet bazuar në ofertën me çmimin më të ulët për MWh, që gjithmonë duhet të jetë nën çmimin tavan të përcaktuar nga rregullatori i energjisë.
Si gjithmonë, objektivi ynë ka qenë dhe mbetet; transparenca gjatë procesit e cila zvogëlon rrezikun e projektit dhe rrit besimin e investitorëve, zvogëlimi i rrezikut – që sjell oferta më të favorshme financiare dhe në fund, oferta më e mirë që mbron konsumatorin nga çmime të larta të energjisë në të ardhmen.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm i përkushtimit tonë drejt ndërtimit të një sistemi energjetik modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët.