39.3 milionë € për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri

Prishtinë, 14.03.2025 – Në KRU “Mitrovica”, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani, Sergiy Maslichenko, drejtori i BERZh-it për Kosovën, Bedri Hamza, kryetar i komunës Jugore të Mitrovicës, Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë, Erden Atiq, kryetar i komunës veriore të Mitrovicës, kryesuesja e bordit të KRU “Mitrovica”, Kumrije Kelmendi dhe kryeshef ekzekutiv në KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, kanë marr pjesë në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes në vlerë 39.3 milionë euro për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Me këtë rast, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me këtë investim, do të ketë një impiant të mirëfilltë të trajtimit të ujërave të ndotura.

“Mitrovica dhe Vushtrria po bëhen me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza me investimin prej 39.3 milionë euro, ndërsa pas tyre do të kyçen edhe Komuna Veriore e Mitrovicës dhe Zveçani. Ujërat e ndotura nuk do të derdhen më në lumenj, duke i rikthyer pastërtinë lumit të Ibrit, Sitnicës, Lushtës dhe Trepçës”, ka thënë ministrja.

Ajo tha se ky projekt është pjesë e një strategjie të gjerë të qeverisë, për të modernizuar menaxhimin e ujërave në mbarë vendin.

“Ky projekt nuk është i izoluar. Ai është pjesë e një strategjie të gjerë të qeverisë për të modernizuar menaxhimin e ujërave dhe ujërave të zeza në mbarë vendin. Gjatë këtij mandati, Ministria e Ekonomisë ka pasur buxhete rekorde deri në 500 milionë euro në vit për investime në sektorin e ujërave”, tha ajo.

Ndërtimi i Impiantit në vlerë prej 39.3 milionë euro, është duke u realizuar me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) me grantin prej 19.8 milionë euro, Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me grantin prej 5 milionë euro, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me 13.5 milionë euro dhe 700 mijë euro grant, si dhe me SECO-në zvicerane me mbështetje 300 mijë euro.

Gjatë viteve të fundit janë përfunduar impiante të tilla për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë, Pejë dhe Prizren, si dhe do të ndërtohen në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.