Ministrja Rizvanolli në Konferencën ”Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2024″
Prishtinë, 19.03.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock si dhe Zëvendëskancelarit të Gjermanisë, Robert Habeck, sot mori pjesë në konferencën “Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2024 (BETD)” me temën “Bota po përballet me energjinë globale”.
Ky është edicioni i 10-të i Tranzicionit të Energjisë në Berlin që mbahet në Zyrën e Jashtme Federale nga data 19 deri më 20 mars 2024, ku kanë marr pjesë ekspertë, politikbërës dhe zyrtarë qeveritar nga mbi 50 shtete dhe është një nga konferencat më të rëndësishme të sektorit të energjisë.
Hapja e konferencës ku po diskutohet për të ardhmen e energjisë është bërë nga Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe Zv.kancelari, Robert Habeck.
Ministrja Rizvanolli së bashku me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ndanë përvojat e tyre me të pranishmit.
Në fjalën e saj ministrja Rizvanolli si pjesë e diskutimit me temën ”Qendra e dialogut: Dekarbonizimi i ekonomisë”, tha se efiçienca e energjisë është një nga synimet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e që reflektohet edhe në Strategjinë e Energjisë 2022-2031.
Ajo shpalosi punën në ndërtimin e standardeve të reja të energjisë e poashtu në dekarbonzimin e ekonomisë, që ndërlidhet në dy shtylla: në atë të përmirësimit të energjisë dhe të ngrohjes efiçiente.
Ministrja Rizvanolli ndau përvojën e suksesshme të Ministrisë së Ekonomisë, ku tha se përmes masave të kursimit të energjisë, kemi subvencionuar me pajisje efiçiente afër 10000 mijë familje gjatë vitit 2022, që përpos kursimit të energjisë për afër 19%, ka ndikuar edhe në rritje të vetëdijesimit.
Përpos subvencionimit të familjeve, ajo ndau punën për përmirësimin e Efiçiencës së Energjisë (EE) në ndërtesa publike ku në dy vitet fundit janë implementuar masat e EE-së në më shumës se 100 ndërtesa publike si në shkolla, komuna, spitale, institucione qeveritare që ka ndikuar në kursimin e energjisë në 70%.
Dialogu i Tranzicionit të Energjisë mbështetet nga Qeveria Federale e Gjermanisë dhe është një nismë e përbashkët e Federatës Gjermane të Energjisë së Rinovueshme.