Bëhet inaugurimi i investimeve në eficiencë të energjisë në Sh.F.M.U. “Asdreni” në Pejë
Prishtinë,16.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot mori pjesë në inaugurimin e masave efiçiente në Shkollën Fillore e Mesme e Ulët ”Asdreni” në Pejë realizuar në kuadër të projekteve nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Ministrja Rizvanolli u shpreh e lumtur për cilësinë dhe kushtet e krijuara për 1,138 nxënës e mësimdhënës, pas shumë sfidave të ndryshme që përballeshin shpesh me të ftohtin, ku falë këtij investimi nga tash në këtë shkollë do të rritet komfori dhe do kenë kushte më të mira.
Rizvanolli potencoi se rritja e efiçiencës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, është një ndër synimet kryesore të Qeverisë pasi është mënyra më e shpejtë e më e mirë për të ulur konsumin e energjisë.
Me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës se Kosovës, Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë në SHFMU ”Asdreni” në Pejë ka bërë një investim prej rreth 190 mijë euro me çka kjo shkollë do të kursejë rreth 77% të energjisë.
Investimi në këtë shkollë përfshinë:
Termoizolimin e jashtëm
Zëvendësimin e dritareve dhe dyerve të vjetra me ato më të reja dhe efiçiente;
Ndërtimin e çatisë së re dhe izolimin;
Instalimin e njehësorëve të energjisë termike – dy bojlerë, secili me kapacitet prej 300 kilovatëorë
Instalimin e valvolave termodinamike në secilin radiator, si dhe
Zëvendësimin e ndriçuesve të vjetër me të reja LED
Që nga hapja e kësaj shkolle në vitin 1962, ky është investimi i parë kaq i madh deri më tani.
Përpos investimeve në renovimin e shkollës “Asdreni”, në Pejë përmes Fondit, Qeveria e Kosovës ka renovuar edhe Qendrën për Karrierë “Rifat Gjota” me mbi 56 mijë euro. Fondi është duke dizajnuar edhe projektet për investime në shkollat “Xhemajl Kada”, “Rilindja”, “Ali Hadri” e “Skenderbeu”, si dhe Palestrën e sporteve “Karagaqi”, me investime afro 900 mijë euro.
Mirënjohje dhe falënderime për FKEE-në për punën e shkëlqyeshme në realizimin e këtyre projekteve si vazhdimësi e investimeve në 22 komuna, Bashkimin Evropian në Kosovë dhe Bankën Botërore nē Kosovë për mbështetjen e tyre!
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm: Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Johan Van De Velde, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci si dhe Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.