Flotës së Postës së Kosovës i shtohen 30 motoçikleta elektrike
Prishtinë, 28.09.2023 – Posta e Kosovës pasuroi flotën e saj me 30 motoçikleta elektrike të blera me buxhetin e ndërmarrjes, për të përmirësuar shërbimin e dërgesave ndaj gjithë konsumatorëve të saj dhe për ruajtjen e ambientit në vendin tonë.
Posta e Kosovës ka investuar 202 mijë euro për 59 motoçikleta elektrike, 30 prej të cilave do të shfrytëzohen për zona urbane, e 29 për zona rurale.
Në ceremoninë e pranimit të motoçikletave, ishte e pranishme Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila e përgëzoi Postën e Kosovës për këtë investim shumë të qëlluar dhe tha se këto motoçikleta janë vazhdimësi e investimeve për përmirësim të kushteve të punës për postierët, pas çantave e uniformave të reja.
“Ne po punojmë në përmirësimin e kushteve të punës për postierët, përfshirë këtu çantat e uniformat e reja, e tash edhe motoçikletat e reja elektrike që do t’u lehtësojnë padyshim punën”, theksoi Rizvanolli dhe shtoi se besimi në shërbimet e Postës së Kosovës po rritet pasi cilësia e shërbimeve po rritet si rezultat i punës së gjithëve, bordit, kryeshefes, punëtorëve e postierëve.
Kurse, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, u shpreh se me këtë investim modern dhe ekologjik do të kryhen shërbime shumë më cilësore dhe më të shpejta në shpërndarjen e dërgesave të qytetarëve.
Ajo po ashtu falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Bordin e Drejtorëve për mbështetje të vazhdueshme ndaj Postës së Kosovës, ndërsa falënderoi edhe konsumatorët e ndërmarrjes, punonjësit e saj, si dhe iu uroi mbarëvajtje të punës postierëve përdorues të këtyre motorëve.