Mbahet Forumi i Solareve – Promovimi i Energjisë së Ripërtërishme

Prishtinë, 22.07.2022 – Ministria e Ekonomisë e mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka mbajtur Forumin e dytë të Solareve në vend. Në këtë forum ishte e pranishme Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ky forum ka mbledhur së bashku të gjithë akterët vendorë e ndërkombëtarë të energjisë së ripërtëritshme përfshirë këtu përfaqësues të institucioneve, investitorë, përfaqësues të bizneseve, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare kyçe në vend.

Gjatë fjalimit hapës të Forumit, Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka prezantuar punën e bërë gjatë këtij viti drejt rritjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik të vendit.

Ministrja Rizvanolli ka shpalosur punën e bërë në draft Strategjinë e Energjisë 2022-2031 ku parashihet që gjatë 10 viteve të ardhshme të ndërtohen 1400 MW kapacitete nga era dhe dielli, poashtu ka shtuar se kanë punuar intenzivisht në hartimin e Ligjit për energji të ripërtëritshme i cili pritet të miratohet në fund të vitit 2022.

Ndërsa, gjatë ditës së dytë të Forumit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier të shoqëruar nga Ministrja Rizvanolli kanë vizituar panairin e solareve me ç’rast janë  takuar e kanë diskutuar me përfaqësues të bizneseve vendore rreth shërbimeve e produkteve që ata ofrojnë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës deklaroi se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar intenzivisht drejt garantimit të furnizimit modern, të besueshëm e të përballueshëm për të gjithë qytetarët tanë, furnizim ky që do të promovojë agjendën e mbrojtjes së ambientit dhe në të njëjtën kohë udhëheqë transformimin tonë socio-ekonomik si pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik.

Ndërkaq Jeffrey Hovenier, Ambasador i SHBA-së në Kosovë potencoi se Qeveria e Amerikës do të vazhdojë të mbështes sektorin e energjisë në Kosovë dhe përgëzoi Qeverinë për hapat konkret që është duke i ndërmarrë për të lehtësuar mundësinë e investimeve në burime të ripërtëritshme respektivisht në panele solare.