Synim i Qeverisë, energji stabile dhe të pastër

Prishtinë, 23 prill 2015 – Furnizimi me energji elektrike kualitative, me çmime konkurruese është një ndër prioritet e Qeverisë, duke marrë parasysh ndikimin e këtyre sektorëve në zhvillim ekonomik dhe jetën e qytetarëve, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj- Gashi në konferencën e pestë ndërkombëtare për energjinë organizuar nga KOSID në Prishtinë.

Në Konferencën Ndërkombëtare të KOSID për mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë,  morën pjesë, edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, si Samuel Zhbogar përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Matthias Kiesler nga Ambasada Gjermane si dhe akterë të sektorit të energjisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Zv.Ministrja Zogaj-Gashi në dy panele diskutimi prezantoi orientimet e Qeverisë për fushat e caktuar të sektorit të energjisë. Ajo tha se Qeveria  do të angazhohet për një shfrytëzim optimal të burimeve energjetike që ka Kosova, si një e mirë publike edhe për brezat e ardhshëm, duke përmbushur kriteret evropiane mjedisore.

Sipas saj, brenda katër vjetësh të qeverisjes, do të vihen bazat që të sigurohet energji stabile dhe cilësore për amvisëri dhe biznese. Qëllimet kryesore të sektorit të energjisë janë:  
-Të ketë energji të mjaftueshme për nevojat e Kosovës;
-Çmimet e energjisë të jenë të përballueshme për qytetarët dhe bizneset;  
-Të mbrohet ambienti dhe të shfrytëzohen resurset në mënyrë efikase; 
-Të ngritën investimet private dhe krijohen vende të reja të punës.

Sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese numri idy i MZHE-së, tha se ndërtimi i termocentralit TC Kosova e Re nuk ka alternativë dhe synon arritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimin e mjedisit me rastin e instalimit të teknologjisë më të mirë në dispozicion.

Zv.Ministrja nënvizoi se krahas ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese, Qeveria është e fokusuar edhe në zhvillimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë dhe rritjen e Efiçiencës së Energjisë, konform kërkesave që dalin nga obligimet që ka marrë vendi.

“Fakti se ka aplikacione për më shumë se 350 MW, dhe pjesa dërmuese veçse kanë marrë autorizime preliminare, tregon se ekziston një interes mjaft i lartë për investim në energjinë e ripërtrishme”, tha Zogaj-Gashi, duke shtuar se krahas kësaj Kosova ka caktuar prej  9% i cili do të arrihet deri në vitin 2018.

Në Panelin e parë diskutues që kishte për temë “Agjendën e Gjelbër të Kosovës”, diskutuesit  u fokusua në politikat e qëndrueshme dhe legjislacionin që ka të bëjë me mbrojtjen e ambientit, cilësinë e ajrit, standardet e emetimit të gazrave në komunikacion dhe emetimin e gazrave nga termocentralet, efiçiencën e energjisë dhe krijimin e kushteve për investime në fushën e energjisë së ripërtëritshme. Ndërsa Paneli i dytë kishte për temë diskutimi “Politikat Zhvillimore, Strategjitë Qeverisëse dhe Projektet Energjetike.