Broshura

Faktet Kryesore

Pyetjet më të Shpeshta

Informata të përgjithshme Kontratat Komerciale të Projektit TC ”Kosova e Re” Temat Buletini Informata të përgjithshme

Qeveria e Kosovës ka identifikuar nevojën për kapacitete gjeneruese shtesë që t’i adresojë shqetësimet afatgjatë rreth sigurisë së furnizimit me energji në vend. Synimet e politikave qeveritare, të prezantuara edhe në të gjitha Strategjitë e Energjisë së Kosovës, përveç planeve për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike, kanë për qëllim edhe përfshirjen e sektorit privat në projektin infrastrukturor të Termocentralit “Kosova e Re” (TCKR). Ky projekt përfshinë zhvillimin, dizajnin, ndërtimin, financimin, pronësinë, mirëmbajtjen dhe operimin në përputhje me IED/BAT.

Termocentrali “Kosova e Re” do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijojë mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit.

Misioni i njësisë së re është që të zëvendësojë njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A” dhe të rrisë sigurinë e furnizimit duke krijuar burim të qëndrueshëm të energjisë bazë. Mbështetja në resurset vendore siç është linjiti dhe Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), mënjanon varësinë nga importi dhe nga paparashikueshmëria e çmimit në tregun rajonal.

TCKR do të jetë një aset kryesor në aspektin strategjik, pasi që do të mbulojë pothuajse gjysmën e kërkesës për energji në vend, dhe do të jetë burim afatgjatë i energjisë termike për ngrohje të hapësirave në komunat përreth.

Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal (CG) statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e TCKR. Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal kanë nënshkruar Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” në dhjetor 2017. CG është kompani me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e specializuar në sigurimin dhe zhvillimin e prodhimit të energjisë me kontrata afatgjata për lloje të ndryshme të gjenerimit të energjisë elektrike dhe në lokacione të ndryshme gjeografike

TCKR do të ndërtohet në harmoni me Direktivën e BE-së për Emetime Industriale për standardet mjedisore dhe Teknikat më të Mira në Dispozicion (BAT) të vitit 2017, me minimum 40% efiçiencë me teknologji super-kritike. TCKR do të ndërtohet me financim komplet nga investimet private, mirëpo edhe pse Qeveria e Kosovës nuk do të investoj fare në këtë termocentral, sipas Marrëveshjeve të nënshkruara, ky termocentral do t’i dorëzohet në pronësi Qeverisë së Kosovës pas 20 vitesh, pa asnjë kosto.

TCKR në në njëjtën kohë do të adresojë zgjidhjen e një varg problematikash të sektorit të energjisë, por edhe më gjerë në Kosovë, siç është siguria e furnizimit me energji elektrike, ndikimi direkt në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të aspekteve sociale dhe mjedisore.


_____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

KOMITETI DREJTUES I PROJEKTIT

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) fillimisht i themeluar me Vendimin Ekzekutiv nr. 2006/6 i nxjerrë nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) me 17 mars 2006 dhe më pas i azhurnuar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 08/17 të datës 1 Qershor 2011, ka për qëllim marrjen e vendimeve dhe zhvillimin e transaksionit sa i përket zbatimit efektiv të projektit Termocentrali “Kosova e Re”.

KDP-ja është themeluar dhe funksionon konform detyrave dhe përgjegjësive të caktuara sipas Termave të Referencës.

KDP-ja është autoritet menaxhues, përgjegjësitë e gjithmbarshme të të cilit janë: Koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha operacioneve të projektit Termocentrali “Kosova e Re”.

Përfaqësimi në KDP është definuar në atë mënyrë që të sigurojë pjesëmarrje të të gjitha ministrive dhe agjencive të pavarura kyçe të cilat kanë përgjegjësi për një apo më shumë aspekte të projektit që implementohet.

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) kryesohet nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Komiteti Drejtues i Projektit përbëhet nga anëtarët si më poshtë:

  • Ministri i Zhvillimit Ekonomik (kryesues);
  • Ministri i Financave (anëtar);
  • Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (anëtar);
  • Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (anëtar);
  • Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (anëtar);
  • Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (anëtar);
  • Kryesuesi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (anëtar) dhe
  • Një përfaqësues i emëruar nga Zyra e Kryeministrit (anëtar).

Në mbledhjet e KDP-së marrin pjesë edhe vëzhguesit nga komuniteti i donatorëve dhe institucioneve aktive në Kosovë:

  • Banka Botërore (BB);
  • Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH);
  • Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID);
  • Ambasada e SHBA-së;
  • Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë (ZKE);
  • Kreditanstalt Für Wiederaufbau (KfW);
  • Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut sh.a. (KOSTT);
  • Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK);
  • Ekspertë dhe vëzhgues tjerë sipas nevojës.

Përbërja e KDP-së aktuale:

  • Ministria e Zhvillimit Ekonomik

    Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik
    Kryesues i KDP-së

  • Ministria e Financave

    Bedri Hamza, Ministër i Financave
    Anëtar i KDP-së

  • Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
  • Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

    Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
    Anëtar i KDP-së

  • Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

    Endrit Shala, Ministër për Tregti dhe Industri
    Anëtar i KDP-së

  • Zyra e Rregullatorit të Energjisë
  • Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve
  • Përfaqësues i emëruar nga Zyra e Kryeministrit

_____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

NJËSIA PËR IMPLEMENTIMIN E PROJEKTIT TERMOCENTRALI “KOSOVA E RE”

Njësia për Implementimin e Projektit (NjIP) termocentrali “Kosova e Re” (TCKR), fillimisht është themeluar në cilësinë e Zyrës së Projektit për asistim të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për tërheqjen e sektorit privat të huaj në sektorin e energjisë dhe minierave me vendimin ekzekutiv të PSSP-së (Nr.2006/6) të datës 17 Mars 2006, i plotësuar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Nr.08/17) të datës 01.06.2011 (bashkangjitur me këtë shkresë në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përbëhet prej ekspertëve të kualifikuar me qëllim të përzgjedhjes së investitorit privat për financimin, ndërtimin, operimin, dhe mirëmbajtjen e Termocentralit “Kosova e Re”.

NjIP – TCKR shërben në kuadër të Komitetit Drejtues të Projektit si sekretariat teknik. Po ashtu NjIP është përgjegjëse për menaxhimin teknik dhe administrativ të procesit, si dhe ka rolin e dhënies së këshillave profesionale për realizimin e projektit.

Njësia implementuese e Projektit Termocentrali “Kosova e Re” mëton të ndihmojë Qeverinë e Kosovës (QK) në ndërtimin e një mjedisi të favorshëm për investime që do të joshë investitorë privatë për ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë termale nga linjiti në baza të qëndrueshme sociale dhe mjedisore.

Qëllimi i NJIP TCKR do të arrihet përmes: (a) zhvillimit dhe fuqizimit të politikës së favorshme, kornizave ligjore dhe rregullative në sektorin e energjisë, përfshirë zbutjen e ndikimeve mjedisore; (b) zhvillimit të një strukture dhe kapaciteti institucional për zbatimin e strategjisë së gjerë të sektorit, duke përfshirë mobilizimin e financave dhe marrëdhëniet me IFN-në në sektorin e energjisë; dhe (c) konsultimeve teknike për të kërkuar investitorë strategjikë për termocentralin.


PËRSHKRIMI I DETYRAVE TË NJËSISË

Detyrat dhe Përgjegjësitë kyçe të NjIP–TCKR janë:

  • Menaxhimi i përditshëm i projektit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe përgatitja e planeve vjetore të punës dhe planeve të detajuara të punës.
  • Mbikëqyrja dhe monitorimi i punës së Këshilltarëve të Transaksionit dhe konsulentëve tjerë që mund të angazhohet në Projekt.
  • Analizimi, komentimi, dhe diskutimi i të gjitha raporteve, rekomandimeve, dhe dokumenteve të përpiluar nga Këshilltarët e Transaksionit apo konsulentëve të tjerë me qëllim që të sigurohet se janë në pajtueshmëri me vendimet dhe objektivat e KDP-së.
  • Mbledhja e të dhënave dhe analizimi i informatave me qëllim të realizimit të Projektit.
  • Monitorimi, vlerësimi dhe raportimi rreth implementimit të Projektit.
  • Koordinimi i aktiviteteve të projektit me palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore.
  • Dhënia e këshillave tek Komiteti Drejtues i Projektit dhe përgatitja e dokumenteve dhe vendimeve.
  • Përgatitja teknike e takimeve të KDP-së dhe mbajtja e procesverbalit.
  • Aranzhimi i konsultimeve publike dhe informimi i publikut.
  • Organizon vizita në objektet energjetike dhe institucionet tjera, për nevojat e këshilltarëve të transaksionit dhe investitorëve.
  • Siguron dhe përpunon të dhëna hyrëse për studime dhe nevoja të Projektit dhe
  • Shërbejë si pikë kontaktuese në kuadër të MZhE, në lidhje me realizimin e Projektit.

MBI TERMOCENTRALIN “KOSOVA E RE”


Qëllimi themelor i TCKR-së është:

  1. Sigurimi i furnizimit të energjisë elektrike për Kosovën për një periudhë afatgjate dhe në kushte të pranueshme;

Qëllimet tjera të rëndësisë së lartë të TCKR-së janë:

  1. Zhvillimi i tregut konkurrues të energjisë në Kosovë dhe mbështetja e zhvillimit të tregut konkurrues të energjisë në nivel rajonal;
  2. Përmirësimi dhe mbrojtja e aspekteve mjedisore dhe prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë;
  3. Zhvillimi i mëtutjeshëm i perspektivës dhe kushteve për punësim në industrinë e energjisë në Kosovë;
  4. Efekti demonstrues i sigurimit të suksesshëm në nivel të madh i kapitalit dhe ekspertizës së huaj në Kosovë;
  5. Bartja e përfitimeve te komunitetet lokale ku ndodhet veprimtaria e termocentralit.
Kontratat Komerciale të Projektit TC ”Kosova e Re”

 

Temat
Pse kemi nevojë për Termocentralin
Tranzicioni i sektorit të energjisë
Furnizimi me energji elektrike dhe ekonomia
Termocentral që mbron mjedisin
Kogjenerimi në Kosovë
Tregu i përbashkët energjetik Kosovë-Shqiperi
Përdorimi i thëngjillit
Procesi i tenderimit për “Kosovën e Re”
“Kosova e Re”, më shumë se energji – Fondi për Zhvillimin e Komunitetit
Termocentral që rrit punësimin
Buletini