Çka ka ndërmarrë Qeveria e kaluar?

  • Bazuar në strategjinë e gjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për participimin e sektorit privat në ndërmarrjet publike, me 23 dhjetor 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës (QRK) mori vendimin (02/41) për ta themeluar Komisionin Ndërministror (KN) për analizimin e opsioneve për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK SH.A., përfshirë edhe privatizimin eventual të të gjitha, apo disa njësive të biznesit të saj.
  • Komisioni në pajtim me strukturën e miratuar për menaxhimin e projektit, përzgjodhi Këshilltarin e Transaksionit dhe formoi Njësinë për Implementimin e Projketit.
  • Pas përfundimit të të gjitha analizave dhe studimeve, Komisioni Ndërministror i kishte propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës vendimin për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së dhe ndarjen e njësisë postare nga pjesa tjetër e PTK-së.

Cilat aktiviteteve i ka ndërmarrë Qeveria e tanishme?

  • Qeveria e re e Republikës së Kosovës, me 2 mars 2011, me një vendim të saj rithemeloi Komisionin Qeveritar për Privatizim, i cili vazhdoi me procesin e privatizimit, bazuar në strukturën e miratuar nga Qeveria. KQP përbëhet nga:
    • z. Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Kryesues;
    • znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, anëtare;
    • z. Fehmi Mujota, Ministër i Infrastrukturës, anëtar;
    • z. Nenad Rashiq, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar;
    • z. Bedri Hamza, Ministër i Financave, anëtar.
  • Ky Komision Qeveritar është duke e udhëhequr procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së.
  • Më 31 mars 2011, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar vendimin e Qeverisë për privatizimin e 75 % të aksioneve.

A është e garantuar transparenca?

  • I gjithë procesi i privatizimit është duke u bazuar mbi parimin e transparencës dhe qasjes së barabartë me të gjithë investitorët potencialë.
  • Ky projekt është i bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.

Çfarë shet Shteti i Kosovës, çka do të thotë shitje e 75% të aksioneve të PTK-së?

  • Nga PTK është ndarë Posta e Kosovës, ndërsa për shitje janë 75% të aksioneve të PTK-së, pa postën, që do të thotë që do të shiten 75% e aksioneve të dy njësive të biznesit Telekomi (telefonia fikse) dhe Vala (telefonia mobile).
  • 25% të aksioneve të mbetura në pronësi të shtetit do të monitorohen nga përfaqësuesit e shtetit në Bordin e PTK-së dhe të gjitha detajet do të rregullohen me marrëveshjen e shit-blerjes.

Pse të shitet PTK-ja? Cilat janë benefitet e pritura?

  • Privatizimi i ndërmarrjeve publike përbën një reformë strukturale të sistemit ekonomik të Kosovës. Është hapi më i rëndësishëm në rrugën e modernizmit të shoqërisë sonë.
  • Shitja e PTK-së do të mundësojë sjelljen e eksperiencave moderne menaxheriale dhe teknologjike në kompani dhe jashtë saj. Kjo, më pastaj do të rezultojë edhe me shërbime më të lira, më të shumta dhe me kualitet më të mirë për qytetarët e Kosovës.
  • Me privatizimin e PTK-së synohet që të gjenerohen të hyra për buxhetin e Kosovës, në kohën kur në Kosovë po bëhen investime të shumta kapitale në të gjitha fushat, e veçmas në infrastrukturë.
  • Me privatizimin e PTK-së synohet që të gjenerohen të hyra për buxhetin e Kosovës, në kohën kur në Kosovë po bëhen investime të shumta kapitale në të gjitha fushat, e veçmas në infrastrukturë.
  • Me këtë privatizim, sikurse edhe me privatizime të tjera të ndërmarrjeve publike, synohet të dërgohet një sinjal tek investitorët seriozë ndërkombëtarë për qëndrueshmërinë ekonomike dhe ambientin e favorshëm biznesor të Kosovës.
  • Joshja e investimeve private afatgjata në Kosovë, të cilat do të jenë ndihmesë e madhe për ngritjen e imazhit tonë ndërkombëtar.
  • Sigurimi i investimeve në kompani dhe përgatitja e kompanisë për konkurrencë në të ardhmen, në një treg të liberalizuar.
  • Përmbushja e kërkesave të Unionit Evropian, OTB-së, obligimeve ndaj FMN-së etj.
  • Për sa i takon zhvillimit teknologjik dhe shërbimeve që ofron tregu i telekomit, Kosova është prapa Evropës dhe regjionit të Ballkanit, gjithashtu. Ne ende në tregun e telekomunikimeve nuk kemi shërbime të të dhënave mobile 3G/4G, që për një investitor do të ishte një burim i të hyrave, por edhe një potencial ku do të koncentrohej investimi.
  • Kjo do të mundësojë që edhe vlera e një pjese të aksioneve potenciale të mbajtura nga Qeveria e Kosovës të rritej me kalimin e kohës.
  • Sinergjitë, si normat e thirrjeve në distanca të mëdha, krijojnë mundësinë e uljes së tarifës për thirrjet hyrëse dhe dalëse, si dhe do të ketë mundësi më të mira për taksat ndërkombëtare të roamingut.
  • Kjo, në fund do të jetë në të mirë të konsumatorëve të PTK-së dhe qytetarëve të Kosovës. Presioni në tarifa sigurisht do bëjë të gjithë tregun më konkurrues.

Pse të shitet një kompani profitabile?

  • Shteti megjithatë mban 25% të aksioneve. Profitet e ardhme, cilat do qofshin ato, janë 25% për qytetarët e Kosovës.
  • PTK, edhe me kapital privat brenda saj, do të vazhdojë të punësojë qytetarë të Kosovës, paguajë tatime e taksa, paguajë furnizuesit e vet vendorë në Kosovë dhe ajo çka është shumë e rëndësishme, do të vazhdojë të investoj në Kosovë.
  • Çdo vendim biznesor merret gjithmonë duke u bazuar në performancën aktuale të kompanive dhe të priturat për të ardhmen.
  • Të hyrat e kompanisë kanë rënë me liberalizimin e tregut dhe hyrjen e IPKO-s në treg, një gjë e cila ka qenë e pritshme. Me këtë është fakt, vlerën e PTK-se e dëmton vonesa në privatizim.

Cilat janë rreziqet e mbajtjes së status quo-s?

  • Erozioni i vazhdueshëm i vlerës së aksionarit nga konkurrenca agresive në të gjitha segmentet e tregut (telefonia fikse, mobile, IPTV dhe internet).
  • Mbulimi joadekuat i shërbimeve dhe mungesa në standardet e kualitetit, që rezultojnë nga joefiçienca e vazhdueshme e operimeve, pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe konkurrueshmërinë.
  • Çdo vendim biznesor merret gjithmonë duke u bazuar në performancën aktuale të kompanive dhe të priturat për të ardhmen.
  • Të hyrat e kompanisë kanë rënë me liberalizimin e tregut dhe hyrjen e IPKO-s në treg, një gjë e cila ka qenë e pritshme. Me këtë është fakt, vlerën e PTK-se e dëmton vonesa në privatizim.

Pse tani? A është koha e duhur e privatizimit?

  • Ekonomia globale e ka kaluar pragun e krizës. Kurse pasiguritë e krijuara do të vazhdojnë të mbeten së paku edhe për 3-5 vitet e ardhshme.
  • Në anën tjetër, indikatorët ekonomikë tregojnë se ekonomia e Kosovës është rritur për rreth 5% në vitin 2009-2011 dhe parashikohet të rritet afër 5% në 2012, duke qenë shkalla më e lartë e rritjes në regjion.
  • Ky fakt e bën Kosovën, si vend në zhvillim, më konkurrues në krahasim me vendet e tjera.
  • Me fillimin e rritjes ekonomike në tregjet e tjera konkurruese, të tjera raste për investim mund të rrisin alternativat për investime konkurruese me PTK-në. PTK-së i bie vlera.
  • Industria globale e telekomit është duke iu ofruar ngopjes, dhe si pasojë, posaçërisht në tregjet e zhvilluara, është duke u përballur me margjina të zvogëluara për shkak të konkurrencës së lartë.
  • Klientët janë duke u bërë më të ndjeshëm ndaj çmimeve dhe tregu është kryesisht i orientuar në konkurrim përmes çmimeve – pasi që shumica e operatorëve kanë qasje në nivelin e njëjtë të teknologjisë dhe mund të ofrojnë nivele të ngjashme të shërbimeve.

Pse të shiten 75 % të aksioneve?

  • Investitorët strategjik kërkojnë kontroll menaxherial në kompani në mënyrë që të ndihen të gatshëm të investojnë dhe të menaxhojnë me investimet e tyre, ky kontroll arrihet me shitjen e 75%. Në anën tjetër Qeveria e Republikës së Kosovës duke mbajtur 25% ka ende një pjesë të rëndësishme të aksioneve të PTK-së, të cilat me rritjen e vlerës së tyre mund t’i shesë për një çmim edhe më të lartë.

Çfarë do bëhet me punëtorët?

  • Qeveria do t’i garantojë vendet e punës për punëtorët e PTK-së, për tre vite pas privatizimit.
  • PTK pritet ta vazhdojë edhe më tutje zhvillimin e saj, dhe si e tillë do të vazhdojë të jetë një nga punëdhënësit më me vlerë në Kosovë edhe pas periudhës 3 vjeçare.

Cilat janë eksperiencat e vendeve të tjera?

  • Kompanitë publike në mbarë botën janë treguar më pak të suksesshme se kompanitë private në ofrimin e shërbimeve të telekomunikacionit.
  • Në mbarë globin, shumica absolute e shteteve kanë privatizuar operatorët e tyre të telekomit dhe kanë liberalizuar tregjet e tyre. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim këtu, kjo është politika e duhur që duhet ndjekur.
  • Postës së Kosovës i kanë mbetur të gjitha pasuritë e paluajtshme të PTK-së dhe ka rreth 1,000 punëtorë.

Shih tabelën.

Privatizimi i Telekomit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore

Vendi Telekomi Viti Metoda
Shqipëria Albtelekom 2007 Shitje me Tender
2008 Shitje me Tender
B&H Telekom Srbske 2002 Vauçer në Masë
Bulgaria BTC 2004 Shitje me Tender
2005 Në Bursë
Kroacia HT 1999 Shitje me Tender
2001 Shitje me Tender
2007 Vauçer në Masë
Çekia Çekia 1994 Vauçer në Masë
1995 Shitje me Tender
2005 Shitje me Tender
Estonia Esti Telekom 1992 Shitje me Tender
1999 Në Bursë
Hungaria Matav 1993 Shitje me Tender
1995 Shitje me Tender
1997 Në Bursë
1999 Në Bursë
Vendi Telekomi Viti Metoda
Letonia Lattelecom 1993 Shitje me Tender
2000 Në Bursë
Maqedonia Maktel 2001 Shitje me Tender
2005 Shitje me Tender
Polonia TPSA 1998 Në Bursë
2000 Oferte për Punëtorët
2000 Oferte për Punëtorët
2001 Shitje me Tender
2003 Në Bursë
Rumania Romtelecom 1998 Shitje me Tender
Serbia Serbian Telekom 1997 Shitje me Tender
Serbia Mobtel 2006 Shitje me Tender
Sllovakia Slovak Telekom 2000 Shitje me Tender

Cilat janë kompanitë e parakualifikuara për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së?

Komisioni Qeveritar i Privatizimit të PTK-së, në mbledhjen e mbajtur me 17 gusht 2012, miratoi listën e kompanive të parakualifikuara për pjesëmarrje në tenderin për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së. Ato janë:

  • Albright Capital Management LLC, në bashkëpunim me Portugal Telecom;
  • Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh, në bashkëpunim me British Telecom Poloni (në pronësi të British Telecom);
  • M1International Limited;
  • Turkcell;
  • Twelve HORNBEAMS (Innova) në konsorcium me Avicenna Capital LLC, në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom).

Profilet e kompanive të parakualifikuara për privatizimin e PTK-së:

  • Albright Capital Management (ACM), në bashkëpunim me Portugal Telecom
  • Kjo kompani që nga viti 2007 ka ngritur fonde për investime në vlerë prej mbi 600 milionë dollarë amerikan. Kompania ka asete nën menaxhim në vlerë prej mbi 700 milionë dollarë. Kompania menaxhon fonde të ndryshme investuese në vende të ndryshme të botës.

    ACM në garë për blerjen e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me Telekomin Portugez për operim dhe menaxhim. Telekomi portugez, operon në disa vende të botës, dhe ka të hyra vjetore prej afër 4 miliardë euro.

  • Twelve Hornbeams, UK (Innova Capital) dhe Avicienna Capital, UK në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom)
  • Twelve Hornbeams, është themeluar nga Innova Capital.

    Gjatë 17 viteve të fundit Innova Capital ka investuar në disa operatorë shumë të rëndësishëm të telekomit, përfshirë ndër të tjera GTS Central Europe, Energis Polska, Voxtel (Orange Moldova), Mobitel etj., dhe ka investuar rreth 500 milionë euro nëpër vende të ndryshme të Evropës Juglindore, ndërsa menaxhon me asete me vlerë prej 900 milionë Euro në këtë regjion.

    Avicienna Capital, është firmë private e investimeve direkte me zyra në Londër dhe Stamboll. E themeluar në vitin 2003 kjo kompani ka investuar në sektorë të ndryshëm strategjik në Azi dhe Evropë.

    Avicienna është duke kërkuar zgjerimin e investimeve të saj në telekom dhe energji.

    Këto dy kompani në garë për blerjen e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me Sofrecom që është pjesë e France Telecom.

  • Columbia Capital, USA dhe Axos Capital, në bashkëpunim me British Telecom Poland (pjesë e British Telecom)
  • Columbia Capital është fond investues me fokus në teknologji informative, telekomunikime, internet, media etj. E themeluar në vitin 1989 ka investuar në këta sektorë, duke investuar në 130 kompani në mbarë globin. Kanë nën menaxhim mbi 2.5 miliardë dollarë.

    Axos Capital Partners është shoqëri aksionare investuese e investitorëve liderë ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit, me kapital privat në vlerë prej rreth 4 miliardë dollarë.

    Columbia Capital dhe Axos Capital për transaksionin e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me British Telecom.

  • M1 Group, Lebanon
  • M1 Group është një grup investues, me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia, ndërtimi etj. Është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar të investojë në tregun e telekomit që nga viti 1980, ku kompania më e madhe e telekomunikimit në të cilën ka investuar ka qenë Investcom.

  • Turkcell, Turqi
  • Turkcell është operatori më i madh i telefonisë mobile në Turqi. Ofron shërbime të telefonisë dhe shërbime të internetit nëpërmjet sistemit të tij global të rrjetit të komunikimit. Kompania ofron, gjithashtu edhe shërbime tjera në fushën e telefonisë dhe internetit. Operon në nëntë vende të botës, me 65 milionë konsumatorë. Ka pasur të hyra për vitin e fundit prej mbi 4 miliardë dollarë.