Mbahet Konferenca e Para-Ofertimit për Projektin e erës në Kosovë

Prishtinë, 01.07.2026 – Ministria e Ekonomisë ka organizuar Konferencën e Para-Ofertimit, për projektin e energjisë nga era 50-100 MW në Kosovë (Kosovo Wind Project – Pre-Bid Conference), duke shënuar një hap të rëndësishme në zbatimin e ankandit të parë për energjinë e erës në vend.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe tre ofertuesit e parakualifikuar, nga Franca, Gjermania dhe Turqia, të cilët, pas përfundimit me sukses të fazës së kualifikimit, kanë avancuar në fazën e propozimit të projektit.

Në fjalën e saj hyrëse, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se konferenca e sotme është një mundësi për investitorët që të parashtrojnë pyetjet, të sqarojnë marrëveshjet e projektit dhe të diskutojnë për çështje teknike e kontraktuale, në mënyrë që të jenë sa më të informuar dhe ofertat e tyre të jenë sa më cilësore.

“Ky ankand i erës, të cilin po e përmbyllim këtë verë, është ankandi i parë i erës, por që do të jetë model edhe për ankandet e ardhshme”, ka deklaruar Rizvanolli.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, si dhe zyrtari i IFC-së për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani.

Fejzullahu potencoi se përmes këtij procesi krijohen investime të reja, zhvillim ekonomik dhe se organizimi i ankandit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të sektorit energjetik.

Ndërsa, Tërnava vlerësoi se me këtë projekt Kosovës i shtohen kapacitetet e reja energjetike, duke e forcuar sigurinë dhe besueshmërinë, dhe se KOSTT-i do të jetë i përkushtuar për të mbështetur projektin brenda kornizës ligjore, duke punuar ngushtë me të gjitha palët për një proces efikas dhe transparent.

Kurse Perani, zyrtari i IFC-së për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, foli për rëndësinë e madhe që ka projekti, të cilin e vlerësoi projektin më të madh deri më tani në vend në fushën e energjisë.

Konferenca e Para-Ofertimit u organizua me qëllim që ofertuesve të parakualifikuar t’u ofrohen sqarime për marrëveshjet e projektit, si dhe çështjet teknike, rregullative dhe kontraktuale, duke siguruar që të gjithë ofertuesit të kenë qasje të barabartë në informacion gjatë përgatitjes së ofertave të tyre.

Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së fortë të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) si këshilltar i transaksionit, e mbështetur nga Qeveria e Gjermanisë, si dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar për të avancuar investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe për të zhvilluar procese konkurruese, transparente dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në funksion të përmbushjes së objektivave strategjike të Kosovës për tranzicionin energjetik, zhvillimin ekonomik dhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë.