Alpinistet Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi nderohen me pulla postare  

 

Prishtinë, 18 mars 2026 – Ky emetim i veçantë i pullave postare i kushtohet alpinizmit kosovar dhe grave që, me guxim, përkushtim dhe arritje të jashtëzakonshme, kanë lartësuar emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai realizohet në kuadër të promovimit të pullave postare kushtuar alpinisteve Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi.

Në këtë ceremoni, të mbajtur në prani të dy alpinisteve, u vlerësua kontributi i tyre i jashtëzakonshëm në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes arritjeve në alpinizëm dhe ngjitjeve në majat më të larta të botës.

Ministrja Rizvanolli përgëzoi Uta Ibrahimin dhe Mrika Nikqin për përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe sukseset e tyre, duke theksuar rëndësinë e promovimit të figurave që, me punë dhe vendosmëri, e përfaqësojnë denjësisht Kosovën në botë.

Ministri Jagxhiu theksoi rëndësinë e inkurajimit të aktiviteteve në natyrë dhe të promovimit të modeleve frymëzuese për të rinjtë, duke vlerësuar se rrëfimet e suksesit të dy alpinisteve përbëjnë shembull të vyer për brezat e rinj.

Gjatë ceremonisë, Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi ndanë përvojat e tyre nga ekspeditat malore, sfidat e përballuara dhe motivimin që u japin të rinjve për një jetë aktive, me disiplinë dhe afërsi me natyrën.

Pullat postare ju dorëzuan alpinisteve nga Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, e cila theksoi se përfshirja e tyre në filatelinë e Kosovës përfaqëson një vlerësim institucional për arritjet e tyre dhe njëkohësisht shërben në promovimin e vendit.