Ministrja Rizvanolli në PDAC 2026 në Toronto, takime me institucione dhe përfaqësues të sektorit minerar në Kanada

Toronto, 2 mars 2026 – Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, e shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, po merr pjesë në PDAC 2026 në Toronto, një nga konferencat më të mëdha dhe më të rëndësishme globale të eksplorimit mineral dhe industrisë minerare.

PDAC 2026 (Prospectors & Developers Association of Canada) mbledh mbi 27,000 pjesëmarrës nga mbi 125 shtete, me program të gjerë profesional, rrjetëzim, si dhe ekspozitë të industrisë ku përfshihen mbi 1,300 ekspozues dhe qindra prezantues.

Gjatë ditës së parë të konferencës, Ministrja Rizvanolli zhvilloi takime pune me partnerë institucionalë dhe përfaqësues të industrisë kanadeze, me fokus në shkëmbimin e përvojave për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e urave për bashkëpunime konkrete në të ardhmen. Në këtë kuadër, Ministrja u takua me z. Cory Hughes, Zëvendësministër Ndihmës për Zhvillimin e Burimeve në Ministrinë e Energjisë dhe Burimeve të Saskatchewan-it, me z. Claude Gendron nga Korporata Komerciale Kanadeze, si dhe me znj. Pamela Schwann, Presidente e Shoqatës Minerare të Saskatchewan-it. Po ashtu, Ministrja u takua edhe me z. Ahmed Hussen, anëtar i Parlamentit të Kanadasë dhe kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kanadasë.

Në kuadër të pjesëmarrjes në PDAC, delegacioni i Republikës së Kosovës mori pjesë edhe në sesione e tematike relevante të konferencës, duke ndjekur diskutimet mbi trendet globale në eksplorim, financim, teknologji dhe qeverisje të qëndrueshme të burimeve minerare.

Në këtë mandat, sektori minerar është përcaktuar si një ndër prioritetet zhvillimore dhe ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në funksion të këtij orientimi, është paraparë një investim publik prej rreth 50 milionë euro në këtë sektor.