Ministria e Ekonomisë përkrah aktivitetin “Girls in ICT”

Prishtinë, 23.04.2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Konferencën “Girls in ICT”, e organizuar nga The Foundation House në kampusin e RIT Kosovo (AUK), në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit.

Në fjalën e saj, Ministrja Rizvanolli theksoi rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave në sektorin e teknologjisë, duke nënvizuar se zhvillimi i ekonomisë digjitale të Kosovës nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e barabartë të grave në ICT, STEM dhe inovacion.

Ajo rikujtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor, duke ndarë mbi 4,880 bursa për vajza dhe gra në fushat STEM, si dhe duke trajnuar rreth 5000 mijë të rinj në fusha e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese, ku një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve kanë qenë vajza.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe profesionistë të fushës së teknologjisë, me qëllim të promovimit të rolit të vajzave dhe grave në ICT, si dhe krijimit të hapësirave për shkëmbim përvojash dhe frymëzim për gjeneratat e reja.

Ky event është përkrahur nga Ministria e Ekonomisë në kuadër të mbështetjes për OJQ, përmes projektit “Vajzat në teknologji 2026”.