Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli vizituan digën dhe hidrocentralin e Ujmanit

Zubin Potok, 5 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministrat e Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe Triera Kasumi-Berisha dhe kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, kanë vizituar digën e Liqenit të Ujmanit dhe hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut.

Duke theksuar rëndësinë që ka liqeni i Ujmanit, kryeministri tha se nga Ujmani furnizohen me ujë amvisëria, industria dhe në veçanti termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat më pastaj prodhojnë energji elektrike për vendin tonë.

“Kjo është pasuri e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe industrinë tonë. Andaj, ne do të bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi që t’i mbështesim punëtorët, menaxherët që t’i shërbejnë interesit publik dhe në këto kohëra të vështira, të ndryshimeve klimatike kur thatësirat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta e të paparashikueshme, natyrisht që vlera e Ujmanit vetëm sa rritet”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa gjatë vizitës në hidrocentral, kryeministri Kurti pohoi se ndonëse rëndësia e Ibër Lepencit është te furnizimi me ujë për industrinë, bujqësinë dhe ujësjellësin për amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.

Ai theksoi se nga viti 2022 ndërmarrja në vazhdimësi ka dal në fitim financiar.

“Në vitin 2025 Ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim, fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Duhet theksuar që ndërmarrja ka dal me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit”, tha ai, duke shtuar se në katërvjeçarin 2022-2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4.3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018-2021, ka pasur 13.8 milionë euro humbje. Pra, nga 13.8 milionë euro humbje në katërvjeçarin para qeverisjes sonë, në katërvjeçarin e qeverisjes sonë është kaluar në 4.3 milionë euro fitim”.