Prezantohet Skema e Granteve për Energji të Pastër, mbështetje për ndërmarrjet prodhuese në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes

Prishtinë, 16.09.2025- Është bërë prezantimi zyrtar i skemës së granteve për energji të pastër, me një mbështetje për ndërmarrjet prodhuese në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, e financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë dhe përfaqësues nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se me prezantimin e kësaj Skeme po u ndihmojnë kryesisht ndërmarrjeve që kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.

“Po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike”, u shpreh Kryeministri.

Ministrja Rizvanolli tha se me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, po i japin bizneseve një mbështetje konkrete që do t’i ndihmojë të ulin kostot e energjisë, të rrisin konkurrencën dhe të përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar.

“Po ofrojmë ndihmë përmes 3 skemave të reja për biznese, duke përkrahur për herë të parë bizneset në investimet në izolimin e ndërtesave të tyre. Gjithashtu për herë të parë, do të mbështesim sisteme për ruajtje të energjisë me bateri, si dhe shndërrues frekuencor për rritjen e efiçiencës për pajisjeve ekzistuese, deklaroi ministrja.

Ndërsa, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se nga kjo skemë do të përfitojnë ndërmarrjet e mikro-të vogla dhe të mesme, me fokus ndërmarrjet më të prekura nga liberalizimi i tregut të energjisë.

“Në këtë skemë fokusi do të jetë tek ndërmarrjet më të prekura nga tregu i hapur i energjisë elektrike,  projektit të cilave synojnë të risin efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme brenda në ndërmarrjeve”, deklaroi ministrja Hajdari.

Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u shpreh se me këtë skemë po shënohet një hap për zotimin afatgjatë të Luksemburgut në fuqizimin e sektorit privat dhe përkrahjen ndaj rritjes ekonomike të qëndrueshme.

Kjo skemë kap shifrën prej 1 milion euro dhe financohet nga Qeveria e Luksemburgut ndërsa zbatohet nga KIESA në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:

  • efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
  • sisteme solare fotovoltaike (për prodhim të energjisë elektrike),
  • sisteme solare termike (për ngrohje të ujit),
  • bateri për sisteme solare FV, si dhe
  • shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.

Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:

  • deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
  • deri në 25,000 euro për masa të kombinuara. Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.

Të gjitha detajet mbi mënyrën e aplikimit, kriteret dhe afatet do të publikohen në:

  • faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë,
  • faqen e KIESA-s, si dhe
  • faqen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.