Ministrja Rizvanolli prezanton prioritetet strategjike të Ministrisë së Ekonomisë në sektorin minerar në kuadër të PDAC
Prishtinë, 03.03.2026 – Në takimin ministror në kuadër të PDAC, Republika e Kosovës u përfaqësua nga Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, e shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Mimoza Kusari Lila.
Gjatë takimeve bilaterale, Ministrja Rizvanolli zhvilloi diskutime me përfaqësues të lartë nga vende partnere, përfshirë: Claude Guay, Sekretar Parlamentar/Zëvendësministër i Ministrit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Kanadasë, Brian Jean, Ministër i Energjisë dhe Mineraleve i Albertës, David Michael, Ministër për Minierat dhe Naftën në Australinë Perëndimore dhe Stéphane Séjourné, zëvendëspresident Ekzekutiv për Prosperitet dhe Strategji Industriale në Komisionin Evropian.
Ministrja Rizvanolli theksoi se Kosova ka një traditë të gjatë minerare, me kompleksin “Trepça” si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në dekadat e kaluara. Ajo nënvizoi se prioritet i Ministrisë së Ekonomisë është ringjallja dhe transformimi i sektorit minerar, duke e zhvilluar atë jo vetëm si industri nxjerrëse, por edhe përmes rritjes së kapaciteteve përpunuese brenda vendit.
Sektori minerar u theksua si sektor strategjik për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare, veçanërisht në kontekstin global ku mineralet kritike janë thelbësore për tranzicionin energjetik dhe avancimin teknologjik. Ministrja Rizvanolli riafirmoi se zhvillimi i këtij sektori do të realizohet në partneritet me vende aleate dhe të besueshme, duke kontribuar në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.
Për mandatin e dytë qeverisës, Ministria e Ekonomisë do ta ketë sektorin minerar ndër prioritetet kryesore. Për ndërmarrjen publike “Trepça” po shqyrtohet modeli i partneritetit publiko-privat për modernizimin dhe zhvillimin e saj, duke përfshirë investime në teknologji bashkëkohore dhe në përpunim të mëtejmë. Njëkohësisht, Ministria do të intensifikojë mbledhjen sistematike të të dhënave gjeoshkencore, me qëllim të vlerësimit të saktë të potencialit minerar dhe planifikimit strategjik afatgjatë.
Në këto procese, Ministria e Ekonomisë synon bashkëpunim të hershëm me partnerë ndërkombëtarë, në mënyrë që projektet të zhvillohen sipas standardeve më të larta dhe të kontribuojnë në forcimin e partneriteteve strategjike të Republikës së Kosovës.
Përfaqësimi i Kosovës në konferencën e PDAC edhe këtë vit po mbështetet nga Programi CLDP (Commercial Law Development Program) i Departamentit të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.





