KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt ku do të vendosen bateritë 90 MWh për ruajtjen e energjisë  

Prishtinë, 19.01.2025 – Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, nënkryetari Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu dhe U.D. kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Shaban Neziri , në zbatim të Marrëveshjes Kompakt ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, sot nënshkruan Kontratën për Bartjen e Pronësisë për ngastrën me sipërfaqe prej  2.34 hektarësh, e cila ndodhet në fshatin Sojevë nga Komuna e Ferizajt te KOSTT, në të cilën do të ndërtohet Projekti për Sistemin për Ruajtje të Energjisë në Bateri për nevoja të KOSTT-it.

Projekti i BESS për KOSTT-in, financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe ka për qëllim promovimin e tranzicionit drejt energjisë se pastër, uljen e kostove të energjisë, si dhe pajisjen e KOSTT-it me një sistem BESS me kapacitet prej rreth 45 MW (90 MWh) për balancimin e rrjetit dhe lehtësimin e integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Projekti i BESS për KOSTT-in, do të zbatohet nga Llogaria e Sfidave të Mijëvjeçarit Kosovë, si entitet përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kompakt, dhe pas përfundimit i njëjti do t’i bartet KOSTT-it për menaxhim dhe operim.

Marrëveshja Kompakt e MCC-së, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 milionë dollarë janë kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës, synon të rrisë sigurinë energjetike, të kontribuojë në uljen e varfërisë dhe të nxisë rritjen ekonomike në Kosovë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike duke shtuar kapacitet e reja gjeneruese të burimeve të ripërtrishme, duke modernizuar kapacitet ekzistuese gjeneruese dhe duke rritur fleksibilitetin e sistemit përmes teknologjive inovative. Projekti i BESS do të jetë ndihmesë e madhe në rritjen e besueshmërisë së sistemit elektroenergjetik dhe uljen e kostove për të gjithë konsumatorët.

Ministria e Ekonomisë falenderon  Komunën e Ferizajt dhe MCC  për mbështetjen e vazhdueshme në zbatim të këtij projekti.