Sekretarja Shabani Mullarama: Fuqizimi i grave kyç për tranzicionin energjetik
Prishtinë, 30 mars 2026 – Shoqata për Energji të Qëndrueshme në Kosovë (AWESK) organizoi sot një ngjarje të rëndësishme që vuri në fokus rolin kyç të grave në formësimin e së ardhmes energjetike të vendit. Kjo ngjarje mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, akademisë dhe sektorit të energjisë, duke krijuar një platformë të përbashkët për diskutim dhe bashkëpunim.
Një nga fjalimet kryesore u mbajt nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, e cila theksoi angazhimin institucional për një tranzicion energjetik gjithëpërfshirës dhe të drejtë. Ajo potencoi se fuqizimi i grave në këtë sektor nuk është vetëm çështje barazie, por një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm dhe inovacion. Sipas saj, përfshirja aktive e grave në politikëbërje dhe zbatim të projekteve energjetike sjell perspektiva të reja dhe rrit cilësinë e vendimmarrjes.
Në këtë kontekst, ajo u tha se; “përfshirja e grave në shkencë, teknologji, inxhinieri, si dhe në proceset e vendimmarrjes, forcon kontributin e tyre jo vetëm në sektorët tradicionalë, si shëndetësia dhe edukimi, por edhe në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme. Një zhvillim i tillë kërkon pjesëmarrje të plotë dhe barazi për të gjithë.”
Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së grave në të gjitha nivelet e sektorit energjetik, nga vendimmarrja strategjike deri tek implementimi i projekteve në terren.
Paneli kryesor me temë “Gratë formësojnë Tranzicionin Energjetik të Kosovës” bashkoi ekspertë të fushës për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në sektor.
Panelistet ndanë përvoja dhe ide konkrete mbi përmirësimin e efiçiencës së energjisë, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe rolin e arsimit në përgatitjen e gjeneratave të reja të profesionistëve.
Në përfundim të ngjarjes, AWESK ndau mirënjohje për partnerët e saj për kontributin në avancimin e sektorit të energjisë dhe fuqizimin e grave në këtë fushë.
Kjo ngjarje realizohet me mbështetjen e projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.


