Ministrja Rizvanolli u takua me përfaqësues të lartë politikë të Kanadasë: Partneriteti mes Kosovës dhe Kanadasë është i shkëlqyer

Toronto, 09 mars 2026 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka vlerësuar se partneriteti mes Kosovës dhe Kanadasë është i shkëlqyer, duke theksuar se tani është koha që mbi këtë bazë të ndërtohet një bashkëpunim edhe më i thellë ekonomik, veçanërisht në sektorin e minierave dhe energjisë.

Gjatë javës së kaluar, ministrja Rizvanolli e shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë në konferencën më të madhe dhe më të rëndësishme globale të eksplorimit mineral dhe industrisë minerare, PDAC 2026, e mbajtur në Toronto, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Në kuadër të kësaj vizite, ministrja Rizvanolli u takua me René Legacy, Zëvendëskryeministër i provincës së Nju Bransvikut dhe Ministër i Financave dhe Bordit të Thesarit, njëherësh edhe Ministër i Energjisë, me të cilin këmbyen përvoja mbi politikat energjetike dhe zhvillimet në sektorin e energjisë.

Po ashtu, ajo zhvilloi takime edhe me Brian Jean, Ministër i Energjisë dhe Mineraleve i Albertës, si dhe me Cory Hughes, Zëvendës-Ministër Asistent për Zhvillim të Burimeve në Ministrinë e Energjisë dhe Burimeve të Saskatchewan, me të cilët diskutoi mundësitë për bashkëpunim ekonomik me fokus në sektorët e minierave dhe energjisë, si dhe hapat konkretë për avancimin e këtij bashkëpunimi në projekte të përbashkëta.

Ministrja Rizvanolli zhvilloi gjithashtu takime edhe me përfaqësues të Parlamentit të Kanadasë, përfshirë Rob Oliphant, deputet dhe Sekretar Parlamentar i Ministres së Punëve të Jashtme, Claude Guay, deputet dhe Sekretar Parlamentar i Ministrit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Ahmed Hussen, deputet dhe Kryetar i Komitetit të Përhershëm për Punë të Jashtme dhe Zhvillim Ndërkombëtar, si dhe Kyle Seeback, deputet dhe ministër në hije për Punë. Në këto takime u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetjen e vazhdueshme politike për Kosovën dhe zhvillimet e përgjithshme në vend.

Gjatë konferencës, ministrja Rizvanolli pati mundësi të shkëmbejë gjithashtu me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë David Michael, Ministër për Miniera dhe Naftë në Qeverinë e Australisë Perëndimore, si dhe Stéphane Séjourné, Zëvendëspresident Ekzekutiv për Prosperitet dhe Strategji Industriale në Komisionin Evropian, përgjegjës edhe për Industrinë, NVM-të dhe Tregun e Përbashkët. Në këto takime u diskutua për zhvillimet në sektorët strategjikë dhe për qasjet në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këta sektorë.

Pjesëmarrja në PDAC 2026 shërbeu si një mundësi e rëndësishme për promovimin e potencialit të Kosovës në sektorin minerar dhe për zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.