Të gjitha zonat e banuara të Kosovës tashmë janë të mbuluara 100% me internet
Podujevë, 21.03.2023 – Në Shkollën Fillore “Rilindja”, në Herticë të Podujevës u mbajt ngjarja “Kosova Connected”, në të cilën ngjarje ka marr pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Evropë dhe Azi Qendrore, Massimiliano Paolucci, përfaqësueset e Bankës Botërore, Nicole Klingen dhe Natalija Gelvanovska-Garcia, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përfaqësues nga ARKEP-i, banorë dhe nxënësit e fshatit.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se duke investuar në infrastrukturën brezgjerë ne po i thyejmë barrierat dhe po i sigurojmë të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në botën dixhitale. Ai po ashtu shtoi se si qeveri jemi të përkushtuar të zbatojmë dixhitalizimin gjithpërfshirës që presim të sjell përfitime të shumta për shtetin dhe për shoqërinë tonë.
Ndërkaq Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se në Republikën e Kosovës 100% e zonave të banuara tashmë janë të lidhura me internet brezgjerë dhe se Hertica ishte ndër fshatrat e fundit të lidhura me internet të shpejtë, ku kjo e arritur e vendos Kosovën krahas shteteve më të zhvilluara evropiane sa i përket shfrytëzimit të internetit.
“Secili qytetar, secili nxënës e mësues i Kosovës, pavarësisht se ku jeton, tash ka mundësi të barabartë në qasje në internet e në informata që u nevojiten. Prandaj, ndërtimi i kësaj infrastrukture kontribuon në një ndër qëllimet tona kryesore si Qeveri: barazia shoqërore e ekonomike”, tha Ministrja Rizvanolli.