Prezantohet drafti i listës prioritare i projekteve për sektorin e energjisë
Prishtinë, 25.04.2023 – Ministria e Ekonomisë ka mbajtur takimin me donatorë dhe partnerët zhvillimorë, ku është prezantuar drafti i listës prioritare i projekteve për sektorin e energjisë.
Në këtë takim, Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli potencoi se për gjatë dy viteve të fundit janë shënuar hapa të rëndësishëm në sektorin e energjisë, duke përfshirë këtu edhe ndërhyrjet në menaxhimin e krizës, rritjes së efiçiencës dhe menaxhimit të kërkesës si një mënyrë e menaxhimit të krizës, që është në përputhje të plotë me synimet tona afatgjata të rritjes së efiçiencës së energjisë dhe menaxhimit të kërkesës në të ardhmen.
Përmes fushatave të suksesshme vetëdijësuese që janë ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë dhe masave për subvencionim të kursimit të energjisë dhe të pajisjeve efiçiente, është arritur një efekt pozitiv, jo vetëm në ngritjen e vetëdijes për kursim, por edhe në rezultate të menjëhershme, ku për herë të parë pas 5 vitesh është arritur që konsumi total i familjeve të ulet për 4% mesatarisht.
E para e ME-së, po ashtu tha se kemi punuar në shumë aspekte për të vënë themelet e sektorit të ri të energjisë, që mbështetet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.
Ajo theksoi se janë duke u bërë u hapa intensiv për lansimin e ankandit të parë për energji solare, me një kapacitet prej 100 megavatëve, i cili realizohet me ndihmën e USAID-it dhe synohet të lansohet në maj të këtij viti.
Projektet e ngrohjes qendrore solare, parku solar në KEK dhe puna që po bëhet për projektin e MCC-së (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit), i cili do të vijë në kohën kur do të kemi kapacitete të reja të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) që bateritë të jenë të domosdoshme për ta mirëmbajtur balancimin e sistemit.
Në takim kanë marrë pjesë; Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Prishtinë, përfaqësues të USAID, BE-së, MCC-së, Bankës Botërore, GIZ-it gjerman, ndërmarrjeve publike, institucioneve tjera financiare dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve që ndërlidhen me fushën e energjisë.