Nga nesër qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimeve të jashtme, termoizolimeve të kulmeve, si dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme
Prishtinë, 07.08. 2023 – Ministria e Ekonomisë (ME) dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë lansuar thirrjen publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”. Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.
Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.
Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 Euro si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar. Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.
Aplikimi do të bëhet përmes platfromës eKosova (ekosova.rks-gov.net) dhe do të fillojë me datën 08 gusht 2023. Informatat për shpalljen do të jenë të publikuara nga nesër në ueb-faqen e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe kap vlerën 10 milionë Euro.
Në konferencën e mbajtur me rastin e lansimit të kësaj thirrje, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se mbetemi të përkushtuar që çështjen e efiçiecës ta trajtojmë me priortet dhe këtë e kemi dëshmuar jo vetëm me vendosjen e trageteve ambicioze në Strategjinë e Energjisë, por edhe me veprime konkrete që po i ndërmarrim për dy vite.
Rizvanolli theksoi se me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër, e më i freskët në verë dhe ky investim do të ndikojë direkt edhe në faturën e energjisë elektrike për familjet, por edhe për nevojën për subvencionim rast të krizave më të cilat jemi përballur vitet e kaluara.
“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion prej 45% të vlerës së investimit, për t’i rinovuar shtëpitë e tyre, për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund aplikojnë për renovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe izolimin e kulmit”, pohoi Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli njoftoi se në javën tjetër, Ministria e Ekonomisë do të shpallë thirrjet për subvencionim të efçiencës të energjisë, ku do të përfshihen për herë të parë pajisjet efiçiente shtëpiake, sistemet solare termike për ngrohje të ujit, kurse deri në fund të muajit do të lansohen thirrjet për pajisjet e ngrohjes.
Në konferencë kanë marrë pjesë edhe anëtarja e Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Nora Arifi, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës.