Nënshkruhet marrëveshja për zhvillimin e ankandit të Energjisë nga Era ndërmjet ME-së dhe IFC-së

Komunikatë e përbashkët ME-IFC

Prishtinë, 22.03.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Menaxheri Regjional i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), Nicolas Marquier sot nënshkruan Marrëveshjen për zhvillimin e Ankandin të parë të Erës në Kosovë.

Pas përmbylljes me sukses të procesit ofertues të ankandit të parë të diellit të Republikës së Kosovës, Ministria e Ekonomisë (ME) ka filluar përgatitjet për lansimin e ankandit të radhës, të parit ankand me energji të erës.

Ministrja Rizvanolli potencoi se; marrëveshja e sotme dhe bashkëpunimi me IFC-në e USAID-in, janë veçanërisht të rëndësishme për arsye se, kërkesa ynë për energji elektrike përputhet shumë mirë me profilin e gjenerimit të kapaciteteve të erës dhe ndërtimi i kapaciteteve të tyre është shumë kompleks, andaj me përfundimin e këtij procesi me sukses ne si shtet dëshmojmë që tranzicionin energjetik e kemi të arritshëm, dhe që jemi partner serioz për zhvilluesit e projekteve e investitorëve që do të vijnë të investojnë këtu.

Ajo shtoi se, ME ka paraparë një komponentë të partneritetit publiko-privat (PPP), për herë të parë në projekte të tilla në rajon. Kjo na mundëson që të sigurohemi që si shtet kontribuojmë me investim në projekt, duke u siguruar që jo e tërë kosto e ndërtimit të kapaciteteve – dhe të tranzicionit energjetik – reflektohet ne tarifa të konsumatorëve fundorë në afat të mesëm.

“Jemi më se të vetëdijshëm që kemi shumë punë para. Mirëpo, me përkushtimin të cilin veç e kemi dëshmuar, me projektet që kemi filluar, e me parterët e dedikuar që kemi krah, këto punë nuk janë aspak sfida mirëpo mundësi për të përshpejtuar e përforcuar tranzicionin tonë të drejtë energjetik”, përfundoi Ministrja Rizvanolli.

Ndërkaq, Menaxheri Rajonal për Ballkanin Perëndimor i IFC-së, Nicolas Marquie tha se; IFC është e përkushtuar për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme duke mbështetur tranzicionin e saj drejt energjisë së rinovueshme dhe duke ndihmuar në arritjen e neutralitetit të karbonit. Përmes partneriteteve strategjike dhe iniciativave si projekti i erës 150 MW, ne synojmë të rrisim ndjeshëm kapacitetin e energjisë së rinovueshme të Kosovës, duke çuar përpara vizionin tonë të përbashkët për një ekonomi më të gjelbër dhe më qëndrueshme, shtoi Marquier.

Objektivi i kësaj marrëveshjeje këshilluese është të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë për të mobilizuar përvojën, njohuritë teknologjike dhe kapitalin e një investitori ose investitorëve të sektorit privat të përzgjedhur në mënyrë konkurruese nëpërmjet Partneritetit Publiko Privat (PPP), për projektimin, financimin, ndërtimin dhe funksionimin e centralit/eve rreth 150 MW i cili do të zbatohet i ndarë në dy LOT.

Qeveria e Kosovës synon të rrisë prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, të përmirësojë besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike duke rritur kapacitetin e instaluar gjenerues në vend dhe të stimulojë zhvillimin ekonomik duke promovuar investimet private përmes zbatimit privat duke financuar projektet e prodhimit të energjisë.

Marrëveshja ka për qëllim tërheqjen e investimeve të sektorit privat për projektet e prodhimit të erës, duke përfshirë projektimin, financimin, ndërtimin dhe funksionimin e centraleve të erës, si dhe promovimin e transaksioneve efektive, transparente dhe konkurruese dhe në përputhje me rrethanat.

Projektet që dalin nga kjo marrëveshje do të kenë për bazë identifikimin, menaxhimin dhe zbutjen e të gjitha rreziqeve mjedisore dhe sociale që lidhen me projektin,  në këtë rast IFC si këshilltar i transakcionit, do ta këshillojë ME-në në mënyrë në përputhje me standardet e Performancës së IFC-së për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Sociale.