Nënshkruhet marrëveshja për financimin e infrastrukturës hekurudhore
Prishtinë, 11.12.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu sot nënshkruan Marrëveshjen Kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për 5 vite, me kryeshefin ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Infrakos”, Naser Krasniqi.
Kjo marrëveshje synon investimin në projekte kapitale, si dhe zhvillimin, modernizmin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore publike, për të siguruar një shërbim efektiv për ndërmarrjet e transportit hekurudhor.
Marrëveshja Kornizë ka për qëllim të vendosë raport kontraktor sipas ligjit mes Qeverisë dhe Infrakosit si menaxher i infrastrukturës hekurudhore në pronësi publike, të rregullojë sigurimin e të hyrave të pambuluara, si dhe të përcaktojë mënyrën e financimit të projekteve kapitale të Infrakosit.
Rrjeti hekurudhor në Republikën e Kosovës, që menaxhohet nga Infrakosit shtrihet në gjatësi prej 335,097 kilometrash linja të hapura hekurudhore, 105,784 km linja në stacione dhe 103,4 km linja industriale.