Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë amerikane General Electric me vlerë 56.2 milionë euro
Prishtinë, 07.04.2023 – Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë amerikane General Electric me vlerë 56.2 milionë euro, për Modernizimin e Turbinave me Avull të Termocentralit “Kosova B”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, vizitoi Termocentralin “Kosova B” me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kompanisë amerikane General Electric (GE), për Modernizimin e Turbinave me Avull të Termocentralit “Kosova B”, me vlerë 56.2 milionë euro.
Duke e vlerësuar këtë si njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të energjisë në Kosovë, kryeministri ka rikujtuar vjetërsinë e termocentraleve, duke thënë se njësitë e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë filluar ndërtimin para më shumë se gjashtë dekadash, dhe se ndërmjet 1960-tave dhe tani, ato të vetme kanë garantuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai tha se termocentralet janë shfrytëzuar përtej maksimumit të operimit të tyre. Edhe në KEK më të drejtë konstatohet së shumë shpesh kemi qenë në fije të perit. Nga këto Termocentrale ai i “Kosovës B”, si më i riu, ka bartur barrën më të madhe.
Ai veçoi faktin se kompania me të cilën u nënshkrua kontrata për modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim, është e njëjta që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 1984.
Si rezultat modernizimit, kapacitetet e njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat, ndërkohë që pas përfundimit të punimeve që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale, por vetëm çdo 8 apo 9 vjet.
Kryeministri Kurti njoftoi se në fund të këtij muaji do të lansohet ankandin i parë i energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW, se pas tij, së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese.
Të gjitha këto, bashkë me projektet tjera në zbatim si ai Solar4Kosova dhe i ndërtimit të kapaciteteve akumuluese në kuadër të grantit të MCC, do të sigurojnë efikasitet dhe qëndrueshmëri më të madhe jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë dhe për sigurinë kombëtare, u shpreh kryeministri Kurti, i cili po ashtu tha se mirëmbajtja e përgjegjshme e pronës publike dhe e aseteve tona energjetike – si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të tyre – është një domosdoshmëri.