Në Drenas do të ndërtohet stacioni sizmik sekondar
Drenas, 06.06.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, kanë nënshkruar marrëveshjen për “Ndërtimin e stacionit sizmik sekondar”.
Në marrëveshje parashihet dhënia në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës për realizimin e projektit “Ndërtimi i stacionit sizmik sekondar”, i cili do të ndërtohet në zonën kadastrale në fshatin Kishnarekë të Drenasit.
Me këtë rast, Zëvendësministri Mjeku theksoi se Ministria e Ekonomisë, përkatësisht Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, ka përgjegjësi ligjore për zhvillimin, monitorimin dhe raportimin e ngjarjeve sizmike, të cilat informacione janë shumë të rëndësishme për sigurinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu shtoi se që nga fillimi e deri më tani, përveç qendrës monitoruese dhe raportuese në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, Rrjetit Sizmik i Kosovës ka ndërtuar 6 stacione sizmike sekondare, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Rahovec, ndërsa ky do të jetë stacioni i shtatë i radhës, i cili do të kontribuojë në grumbullimin dhe saktësimin e informacioneve relevante për çështjet analitike të rrjetit sizmik të Republikës së Kosovës.