Ministrja Rizvanolli vizitoi impiantin e ujit të pijes në Velekincë të Gjilanit
Prishtinë, 15.03.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka zhvilluar një vizitë në impiantin për trajtimin e ujit të pijes në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit, me ç’rast ka takuar kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujërave (KRU) “Hidromorava”, Ymer Salihu, bordin e kësaj ndërmarrje, si dhe menaxherin impiantit, Nexhmedin Leka.
Rizvanolli me përfaqësuesit e kompanisë “Hidromorava” kanë diskutuar për projektet të cilat janë realizuar si dhe për ato të cilat janë në implementim e sipër.
Gjatë vizitës ministrja Rizvanolli ka parë nga afër punën në rehabilitimin e fabrikës së ujit të pijes në fshatin Velekincë të Gjilanit, investim nga Ministria e Ekonomisë me rreth 200 mijë euro, projekt ky i cili parashihet të përfundoj deri ne fund të vitit 2024, dhe me këtë projekt synohet të rehabilitohet Fabrika për Përpunimin e Ujit në Velekincë dhe njëherit të përmirësohet edhe furnizimi me ujë të pijes në një pjesë të qytetit të Gjilanit, Spitali Regjional i Gjilanit, si dhe i fshatrave Velekincë dhe Pasjan.
Ajo përgëzoi menaxherin e impiantit dhe stafin e KRU “Hidromorava” për punën e mirë që është bërë deri më tani dhe tha se ndërtimi i kapaciteteve të reja do të vazhdojë edhe në të ardhmen ngase furnizimi me ujë të pijes është jetik për mirëqenien e qytetarëve.
Gjatë vitit që lamë pas kjo ndërmarrje ka rritur inkasimin gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e të hyrave, po ashtu ka vazhduar punën në mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit si dhe investime të tjera në infrastrukturë.
Nga investimet e bëra në KRU “Hidromorava” përveç qytetarëve të Komunës së Gjilanit do të përfitojnë edhe fshatrat e Komunës së Kamenicës si Karaçevë e Epërme, Shipashnicë e Poshtme, Muçivërcë, Roganë, Honodoc, Novosellë dhe Dajkoc.