Ministrja Rizvanolli vizioi minatorët e Trepçës në Horizontin X, zotohet për investime të planifikuara
Mitrovicë, 05.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me zëvendësministrat Getoar Mjeku e Nenad Stanojeviç dhe deputeten Arjeta Fejza, sot kanë vizituar Ndërmarrjen “Trepça” dhe Minierën e Stan Tërgut.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se në Horizontin X takuan Fisnikun, Naserin e kolegët e tyre që punonin në nxjerrje të mineralit, e mirëmbajtje të makinave të stërvjetruara dhe ka shtuar se ishte përjetim i veçantë të flasin me ta për së afërmi e të përjetojnë ambientin e vështirë të punës, që për minatorët është përditshmëri, por ishte edhe frymëzuese të shohin vullnetin dhe zellin e tyre për punë.
“Së bashku me Kryesuesen e Bordit, Rrezarta Pllana, Kryeshefin Ekzekutiv, Bashkim Kurti dhe drejtorin e Njësisë, Shyqri Sadiku, i siguruam ata që investimet e planifikuara në Trepçë, pajisjet e mjetet e punës, të sigurisë e mbrojtjes për minatorët do të jenë prioritet. Përkundër sfidave, Trepça ka nevojë që të unifikuar të punojmë të gjithë së bashku për të mirën e ndërmarrjes për ta sjellë Trepçën aty ku e meriton, si bosht i zhvillimit ekonomik e shoqëror të Mitrovicës dhe tërë atij rajoni”, ka vlerësuar Ministrja Rizvanolli.
Ajo e ka falënderuar Bordin e Ndërmarrjes “Trepça” për punën e palodhshme, menaxhmentit të ri i ka uruar sukses dhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë periudhë të vështirë për ndërmarrjen.