Ministrja Rizvanolli flet në Forumin Ekonomik të Vjenës të organizuar për herë të parë në Kosovë
Prishtinë, 08.05.2023 – Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Prishtinë, për herë të parë, Forumi Ekonomik i Vjenës po mban konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina 2023”.
Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, së bashku më kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë marrë pjesë në konferencë.
Në fjalën e mbajtur në sesionin për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe mjedis të fragmentuar, Ministrja Rizvanolli theksoi se agresioni në Ukrainë e ka riforcuar faktin që siguria energjetike është çështje e sigurisë kombëtare dhe në këtë aspekt ajo tha se pavarësia energjetike është më e rëndësishme se çdoherë tjetër.
Ministrja Rizvanolli tha se burimet e ripërtrishme të energjisë, janë burime që e sigurojnë pavarësinë energjetike, po ashtu dhe mbrojnë ambientit, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike të cilat po ndodhin.
Ajo tha se në Strategjinë e Energjisë, efiçienca e energjisë është top prioritet, ku përshihet të bëhen investime në këtë sektor, përfshirë këtu me fondin 75 milionësh nga BE, përmes të cilit do të bëhen investime në efiçiencë të shtëpive, si dhe subvencionim i pajisjeve efiçiente për familje dhe biznese të vogla e të mesme.
Duke shpalosur punën e Qeverisë, ndër të tjera Rizvanolli theksoi punën që është duke u bërë aktualisht në:
– Ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese;
– Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.0000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë.
– Investimi më i madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori.