Ministrja Rizvanolli dhe Kryeministri Kurti kanë mbajtur konferencë për medie për marrëveshjen e nënshkruar me MCC-në

Prishtinë, 31.07.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë mbajtur konferencë të përbashkët për medie në ambienetet e Ministrisë së Ekonimisë.

Konferenca për medie është thirrë pasi që Qeveria e Republikës së Kosovës përkatësisht Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar marrëveshjen në fushën  e energjisë me Korportatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt në vlerë prej 236.7 milion euro.

Më poshtë gjeni fjalimet e plota të Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli gjatë konferencës:

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit që keni ardhur sot në këtë konferencë për medie, dhe që po e mirëprisni këtë lajm të mrekullueshëm për vendin tonë.

Deri më tani, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë përjetuar kriza energjetike të vazhdueshme. Me nënshkruarjen e Marrëveshjes së Programit Kompakt për sektorin e energjisë, Qeveria jo vetëm që i ka thelluar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor perëndimor, por konkretisht ka filluar punën për transformimin e sektorit energjetik duke pasur për bazë pavarësinë energjetike, qëndrueshmërinë e sektorit dhe ruajtjen e ambientin.

Në Washington DC nënshkruam marrëveshjen me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programin me 34,7 milionë dollarë si bashkëfinancim, duke çuar kësisoj vlerën totale të programit në 236,7 milionë dollarë.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijnë tri projekte:

E para është rezerva dhe arbitrazh të energjisë, apo bateritë me kapacitet 340 MW;

E dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

E treta është Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Këto tri projekte do të ulin nevojën për blerje të shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë, dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtritshme në rrjet.
Paralelisht zhvillohen kuadro profesionale në fushën e energjisë si dhe nxiten investime në sektorin privat.

Andaj është bërë një hap i madh në sektorin e energjisë por gjithashtu edhe në atë të ekonomisë, andaj tash po ia kaloj fjalën nikoqires, Ministres së Ekonomisë, zonjës Artane Rizvanolli, njëherazi edhe nënshkruese e këtij programi Kompakt me Kryeshefen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, zonjës Alice Albright.

Fjala e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Faleminderit shumë;

I nderuar Kryeministër
Të ndëruar përfaqësues të mediave,
Anëtarë të ekipit të zhvillimit të projektit dhe pjesëmarrës në negociata,
Të nderuara të pranishëm

Sektori i energjisë në Kosovë ka qenë në nevojë urgjente për investim me vite me rradhë. Qeveria e Kosovës dhe MCC e kanë identifikuar mungesën e furnizimit të besueshëm me energji elektrike si pengesë kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, të dy vendet partnere janë zotuar të përmirsojnë të tashmen dhe të ardhmen energjetike të Kosovës duke stabilizuar furnizimin me energji elektrike dhe përshpejtuar tranzicionin e saj drejt dekarbonizimit të energjisë. Unë dua të ndalem tek specifikat e programit dhe çfarë do të thonë ato për Kosovën.

Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe decentralizimi i rrjetit me prodhues kërkon që të kemi kapacitete për të menaxhuar me përfshirjen e burimeve të ripërtrishme në rrjet duke maksimizuar shfrytëzimin e secilit kapacitet që ndërtohet. Ndërsa, pavarësia energjetike nuk përfshinë vetëm kapacitete të reja të gjenerimit, por edhe stabilitet të rrjetit energjetik të pavarur.

Andaj, Projekti i parë në këtë program konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, këto bateri shërbejnë si rezerva të energjisë të cilat do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymë si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Këtë shërbim aktualisht Kosova e kontrakton në tregun e rezervave të Shqipërisë me një kosto financiare, mirëpo shpesh ndodhë që të kontraktojmë në rrjetin evropian me çmime akoma më të lartë kur nevoja për shërbime rregulluese tejkalon ofertën. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, kjo do të thotë, për ruajtjen të energjisë kur shpenzimi është i ulët dhe përdorimit të saj pastaj gjatë orëve me konsum të lartë, gjë që do të ndikoj në një masë në uljen e importit të shtrenjtë.

Tutje, bateritë do të mund të integrohen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, duke e rritur kështu parashikueshmërinë e tyre.

Shumica e përfitimeve që rrjedhin nga sistemet e propozuara të ruajtjes së energjisë lidhen me kostot e shmangura financiare si rezultat i implementimit të projektit. Një kalkulim preliminar i ekipit të MCC-së ka konkluduar se rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektro-energjetik të Kosovës minimum 15 milion euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë siç po ndodh këto ditë. Këto gjetje do të jenë pjesë e analizës finale kost-benefit e cila do të bëhet publike para se të fillojmë me implementimin e programit.

Një përfitim tjetër është se me sigurimin e rezervave të energjisë do të përmbushim  kriteret e Asociacionit të Operatorëve të Transmisionit Evropian “ENTSO-E” për rezerva, ngase të pasurit rezerva është kërkesë që i imponohet shteteve si kusht për pjesëmarrje në këtë rrjet. Po ashtu, duke qenë se bateritë do të ruajnë energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtritshme dhe do të mundësojnë ndërtimin dhe kyçjen e kapaciteteve të larta me energji të pastër, një përfitim shtesë është edhe përmirësimi i cilësisë së ajrit si pasojë e dekarbonizimit.

Kosovës aktualisht i mungojnë kuadro me aftësi teknike të nevojshme për të përmbushur kërkesat aktuale mirëpo edhe ato të ardhme të punëdhënësve të sektorit të energjisë. Për të adresuar këtë problem dhe për të plotësuar dhe mbështetur qëndrueshmërinë e Projektit të Ruajtjes së Energjisë, ne jemi dakorduar me MCC-në të implementojmë edhe projektin e dytë brenda programit i cili përfshinë dy aktivitete, i pari është; Zhvillimi i Fuqisë Punëtore në sektorin e energjisë për të ardhmen, që synon të krijoj programe studimi- trajnimi që do të zhvillojnë shkathtësitë e individëve që të punojnë në sektor të energjisë në një të ardhme me sektor të gjelbër, gjithashtu aktiviteti i dytë ka të bëjë me zhvillimin e shkathtësive mirëpo jo vetëm, edhe me krijimin e mundësive për punësim të grave në sektorin e energjisë përmes nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, trajnimet, mentorimet, promovimi i rrjetëzimit si dhe dhënia e çmimeve për vendet më të mira të punës për gra në sektorin e energjisë.

Përfitimet kryesore nga projekti i dytë janë rezultate më të mira për punësim të të trajnuarve në aspektin e rritjes së punësimit të mirë por edhe pagave më të larta.

Gjithashtu, ndihmon në adresimin e çështjes së përfshirjes së grave në tregun e punës në sektorin e energjisë mirëpo edhe në përgjithësi sepse siç e dimë është një ndër sfidat kryesore tonat në tregun e punës.

Një pikë tjetër që do të adresohet është gjithëpërfshirja dhe sigurimi që grupet e varfra dhe të margjinalizuara mbrohen nga kostot e rritura të energjisë.

Të gjitha këto projekte do të zhvillohen me fuqizimin e sektorit privat në mendje, kjo do të refletohet në projektin e tretë të Programit Kompaktit, pra nxitjes së investimit të sektorit privat në fushën e energjisë përmes Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim apo ACFD. ACFD është një mekanizëm i ri të cilin e përdor MCC-ja së bashku me DFC-në, Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Objektivi i projektit ACFD është të lehtësojë investimet e DFC-së në Kosovë, duke mbështetur një ose më shumë investime të sektorit privat të cilat kanë të bëjnë me fushën e energjisë.

Përfitimet e këtij programi janë të ndryshme e të shumta. Përmes këtij programi po rreshtohemi për dekarbonizim të energjisë duke ndjekur shembullin e partnerëve tanë perëndimor duke i hapur rrugë Kosovës drejt integrimit euro-atlantik. Duhet të kemi parasysh që rruga drejtë Bashkimit Evropian përfshinë edhe obligimet që dalin nga Traktati i Energjisë nënshkrues të së cilës jemi që nga viti 2006 dhe obligime të cilat dalin nga traktati e të cilat do të vijojnë të dalin me pakot e reja legjislative që do të promovohen, do të jenë shumë më lëhtë të përmbushme si shtet kur të realizohet ky investim.

Në fund, por më e rendësishmja, dua të falenderoj shumë ekipin e zhvillimit të projektit si dhe ekipin që kanë marrë pjesë në negociata në Washington DC në maj të këtij viti, disa prej të cilëve janë këtu dhe pa punën e të cilëve ne sot nuk do të ishim këtu  dhe nuk do të arrinim afatet e nënshkrimit të projektit.

Ju falenderoj secilin e secilën prej jush për punën e bërë si dhe ekipin e MCC-së në Washington gjithashtu.

Gjithashtu falenderoj kolegët në qeveri nga; Kryeministri, zv.kryeministri veçanërisht edhe e Ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe punën që kanë bërë edhe ekipi i Ministrisë së Financave në zhvillim të projektit si dhe Deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët në afat rekord për Kosovën dhe për MCC-në kanë bërë ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar para disa ditësh. Gjë që i hap rrugën  pjesës më të rëndësishme  që tek po vjen, zbatimi i projektit për të cilën zotohemi që së bashku do të punojmë për realizim sa më të suksesshëm dhe në afat sa më të shkurtër që të jetë e mundnshme.

Faleminderit shumë!