Inaugurohen masat e efiçiencës së energjisë në objektet e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Psikiatrisë Intensive
Prishtinë, 14.05.2024 – Janë inauguruar objektet e renovuara të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Psikiatrisë Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, projekt i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë përmes Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripertëritshme i financuar nga Banka Botërore përmes kredisë së IDA-së.
Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Elvir Azizi dhe Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë sē Fëmijëve, Faton Kutllovci.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me përfundimin e investimit të renovimit të ndërtesës së Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Psikiatrisë Intensive, po shënojmë 90 ndërtesa publike të renovuara, duke përfshirë objekte spitalore, universitete, qendra sociale dhe zyra të punësimit.
“Kur investojmë e rinovojmë ndërtesat publike gjithmonë kemi dy synime. T’i bëjmë ndërtesat tona publike sa më efiçiente, në mënyrë që të kursejmë energjinë sa më shumë që është e mundur, dhe të rrisim komforin për të gjithë stafin e qytetarët, të cilët shfrytëzojnë hapësirat e këtyre ndërtesave. Kjo e dyta është veçanërisht e rëndësishme për ne kur investojmë në objekte spitalore, e edhe më e rëndësishme në raste të tilla si ky sot, kur kemi të bëjmë me objekte të dedikuara për trajtimin e fëmijëve, e të kategorive më të cenueshme”, theksoi Rizvanolli.
Po ashtu, Ministrja Rizvanolli deklaroi se tash në të dy ndërtesat do të kursehet energjia për 50%, që do të thotë kursim prej 8,627 euro në vit në faturat e energjisë.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia falënderoi ministren Rizvanolli për këtë investim të rëndēsishëm duke theksuar se tash e tutje në këtë klinikë nuk do të jenë vetëm shërbimet ambulantore, pasi tani është i mundshëm edhe hospitalizimi për fëmijët dhe adoleshentët, gjithnjë me indikacione dhe protokolle të standardizuara.
Kurse drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci theksoi se zbatimi i masave të efiçincës së energjisë në spital është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse e zvogëlon konsumin e energjisë, dhe përmes këtyre masave do të përmirësohen kushtet për pacientë dhe stafin mjekësorë, po ashtu këto masa janë dëshmi që ka progres në përmirësimin e sistemit shëndetësorë në Kosovë.
Në objektin e Psikiatrisë së Fëmijëve janë investuar 160,000.00 euro, kurse në objektin e Psikiatrisë Intensive janë investuar 110,00.00 euro, ku është bërë renovimi i mbështjellësit, ndërrimi i dritareve dhe dyerve nga PVC në dritare alumini, renovimi dhe izolimi i kulmit, renovimin e ndriçimit, si dhe renovimi i sistemit të ngrohjes.