Hapen thirrjet për subvencionim të pajisjeve shtëpiake efiçiente dhe sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar

Prishtinë, 18.08.2023 – Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar.

Masat e efiçencës u prezantuan sot nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe  frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.

Vlera e subvencionimit për një (1)  pajisje makinë rrobalarëse është  200.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e  subvencionimit për një (1) pajisje është 300.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e  subvencionimit për një (1) pajisje është 400.00 €.

Vlera e subvencionimit për një (1) pajisje makinë enëlarëse është 150.00 €. Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 250.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 300.00 €.

Vlera e subvencionimit për një (1) pajisje frigorifer ose frigoriferëve me ngrirëse është 100.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 150.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 200.00 €.

Për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, do të subvencionohet vetëm një sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.

Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar subvencionohet dyzet përqind (40%)  e vlerës investive të komplet sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar dhe jo më shumë se 1000.00 €.

Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjar, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë (10) muaj brenda dymbëdhjetë (12) muajve të fundit.

Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Aplikimi për pajisje shtëpiake efiçiente mund të bëhet në https://ekosova.rks-gov.net/467

Aplikimi për sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar bëhet në: https://ekosova.rks-gov.net/468

Informatat e plota mund t’i gjeni në linqet:

https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/1Thirrje-publike-nenmasa-B-KF-17.08.2023-final.pdf

https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/Thirrje-publike-nenmasa-C-KF-17.08.2023-final.pdf