257 mijë euro investime në Viti për efiçiencën e energjisë dhe kushte të Shkollës “28 Nëntori” dhe Qendrës për Punë Sociale
Viti, 2 shtator 2026 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, vizituan sot Shkollën e Mesme të Ulët “28 Nëntori” dhe Qendrën për Punë Sociale në Viti, ku janë përfunduar investime për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët.
Në Shkollën “28 Nëntori” janë realizuar investime në vlerë prej 118 mijë eurosh, të cilat kanë përfshirë:
• Termoizolimin e mureve të jashtme;
• Izolimin e kulmit;
• Ndërrimin e dritareve;
• Instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet;
• Instalimin e ndriçimit efiçient LED;
• Instalimin e kaldasë së re.
Si rezultat i këtyre masave, pritet të arrihet kursim vjetor prej rreth 75 për qind, apo rreth 118 mijë kWh energji në vit, duke krijuar njëkohësisht kushte më të mira të temperaturës, ndriçimit dhe ajrit për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në Qendrën për Punë Sociale në Viti është realizuar një investim prej 139 mijë eurosh, me të cilin janë përmirësuar kushtet e objektit përmes:
• Instalimit të kaldajës së re me kapacitet 90 kW;
• Ndërrimit të dritareve;
• Përmirësimit të fasadës;
• Përmirësimit të sistemit të ndriçimit;
• Përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe kushteve të temperaturës në objekt.
Këto ndërhyrje kanë mundësuar uljen e konsumit vjetor të energjisë me rreth 74 për qind, duke krijuar kushte më të përshtatshme pune për stafin dhe ofrimi më të mirë të shërbimeve për qytetarët.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se investimet në efiçiencën e energjisë përmirësojnë drejtpërdrejt kushtet në të cilat qytetarët mësojnë, punojnë dhe marrin shërbime, ndërsa kursimet e krijuara mundësojnë investime të reja.
“Po e fillojmë këtë vit shkollor pas një vere me temperatura të larta, të cilat na e kanë kujtuar edhe njëherë se objektet publike duhet të ndërtohen dhe të renovohen për një klimë që po ndryshon. Efiçienca e energjisë nuk shërben vetëm për ta mbajtur ngrohtësinë brenda gjatë dimrit. Ajo ndihmon që shkolla të mbetet më e freskët edhe gjatë ditëve të nxehta”, tha kryeministri Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se këto investime janë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik, i cili synon që përfitimet nga efiçienca e energjisë të jenë të prekshme për të gjithë qytetarët.
“Tranzicioni i drejtë energjetik do të thotë që askush të mos mbetet prapa, që familjet, institucionet publike, nxënësit dhe punonjësit të kenë kushte dinjitoze, ndërsa njëkohësisht të kursejmë sa më shumë energji. Këto investime tregojnë konkretisht se si efiçienca e energjisë sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe institucionet”, theksoi ministrja Rizvanolli.
Investimet janë realizuar në kuadër të skemës qarkulluese të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me financim nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përmes kësaj skeme, komunat përfitojnë nga investimet dhe i kthejnë gradualisht mjetet në Fond nga kursimet e realizuara në faturat e energjisë.
Këto dy objekte janë pjesë e investimeve më të gjera në ndërtesat publike. Në kuadër të skemës së Qeverisë me komunat dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, janë ndarë 3.8 milionë euro për renovimin energjetik të 13 objekteve publike në Viti, Podujevë, Lipjan dhe Shtime, ndërsa më herët janë renovuar 125 objekte në 21 komuna.
Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po vazhdojnë punën për zgjerimin e investimeve në efiçiencën e energjisë, me synim uljen e konsumit, përmirësimin e kushteve në objektet publike dhe përdorimin sa më efikas të energjisë.





