Ministrja Rizvanolli priti në takim njohës shefin e ri të Njësisë Ekonomike të Ambasadës së SHBA-së, Patrick Gan
Prishtinë, 12 gusht 2026 – Ministrja në Detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti sot në takim njohës z. Patrick Gan, shef i Njësisë Ekonomike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e fillimit të misionit të tij në Kosovë.
Ministrja Rizvanolli i uroi mirëseardhje z. Gan dhe e njohu atë me zhvillimet kryesore në sektorin e energjisë, sfidat aktuale, si dhe prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë për forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Gjatë takimit, ministrja ngriti edhe çështjen e bllokimit të vazhdueshëm nga Serbia të kapaciteteve ndërkufitare të linjave interkonektive të Kosovës, në kundërshtim me vendimin e Komunitetit të Energjisë, ndonëse Kosova dhe KOSTT-i kanë përmbushur obligimet e tyre. Ajo theksoi rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje, e cila cenon sigurinë energjetike të Republikës së Kosovës.
Ministrja Rizvanolli e njoftoi z. Gan se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe KOSTT-i po punojnë intensivisht me Komunitetin e Energjisë, Bashkimin Evropian, ENTSO-E-në dhe palët e tjera relevante, me qëllim të rritjes së presionit ndaj Serbisë për sigurimin e zbatimit të plotë të obligimeve të saj.



