54 profesionistë të rinj të trajnuar i shtohen sektorit të energjisë

Prishtinë, 12 gusht 2026 – Sektorit të energjisë në Kosovë i janë shtuar 54 profesionistë të rinj, të cilët, pas përfundimit të programit njëvjeçar të KEDS Academy, tashmë janë punësuar.

Në ceremoninë e organizuar për gjeneratën e 12-të të Akademisë u certifikuan gjithsej 74 të rinj: 62 nxënës të shkollave të mesme teknike, nga drejtimi i elektroteknikës, dhe 12 studentë të Universitetit të Prishtinës, shumica nga fusha e elektroenergjetikës.

Programi i KEDS Academy është një iniciativë njëvjeçare e aftësimit profesional që kombinon mësimin teorik me praktikën në terren. Pjesëmarrësit gjatë programit trajnohen në fusha të ndryshme të sektorit energjetik, përfshirë rrjetin elektrik, shpërndarjen e energjisë, sigurinë në punë dhe teknologjitë moderne të sistemit energjetik.

Programi i gjeneratës së 12-të të KEDS Academy ka zgjatur një vit dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Përmes Akademisë, që nga themelimi i saj, janë aftësuar mbi 860 nxënës dhe studentë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përgëzoi të diplomuarit, duke theksuar se lidhja e arsimit dhe aftësimit praktik me punësimin është thelbësore për zhvillimin e sektorit.

“Fakti që 54 nga 74 të certifikuarit tashmë janë punësuar është rezultat konkret dhe shembull i mirë se si duhet të funksionojë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat: nga shkollimi dhe aftësimi praktik, drejt punësimit”, tha ministrja Rizvanolli.

Ajo theksoi se sektori energjetik i Kosovës po kalon nëpër një transformim të thellë. Përmes Strategjisë së Energjisë, zhvillimit të ankandeve konkurruese për energjinë e ripërtëritshme, investimeve në kapacitetet solare dhe të erës, ruajtjes së energjisë përmes baterive, modernizimit të kapaciteteve ekzistuese dhe rritjes së efiçiencës, Kosova po ndërton një sistem më të sigurt, më të pastër dhe më konkurrues.

Ministrja Rizvanolli falënderoi KEDS-in, Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri dhe Universitetin e Prishtinës për bashkëpunimin dhe për krijimin e një rruge konkrete nga arsimi dhe aftësimi profesional drejt tregut të punës.