Ftohen bizneset dhe palët e interesit në sesionin e fundit informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër
Ftohen bizneset dhe palët e interesit në sesionin informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër Ministria e Ekonomisë i fton bizneset dhe palët e interesit që të marrin pjesë në sesionin informues rreth Skemës së Granteve për Energji të Pastër, i cili njëherësh është mundësia e fundit për informim para mbylljes së thirrjes publike.
Sesioni do të mbahet të enjten, më 22.01.2026, nga ora 10:00, në Hotel “Sirius” në Prishtinë.
Në kuadër të kësaj skeme, bizneset mund të përfitojnë mbështetje financiare në vlerë deri në 25,000 euro për biznes. Projekti financohet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe zbatohet nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Ndërmarrjet që kanë të drejtë të aplikojnë janë ato që:
Janë ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), ose ndërmarrje të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike;
Kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar ose sekondar. Të gjitha bizneset e interesuara ftohen që, para aplikimit, të informohen me kujdes për kriteret dhe kushtet e përcaktuara në udhëzuesit përkatës.
Kjo skemë synon të mbështesë bizneset prodhuese dhe përpunuese që dëshirojnë të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, që përfshijnë këto masa:
Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe bateritë për ruajtjen e energjisë elektrike;
Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve;
Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit. Në kuadër të skemës përkrahen investimet në: Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike; Sisteme solare për ngrohjen e ujit;
Rritjen e efiçiencës së energjisë përmes izolimit të ndërtesave; Bateri për sistemet solare FV;
Shndërrues frekuencor për rritjen e efiçiencës së pajisjeve ekzistuese të prodhimit.
Skema ofron mbështetje financiare: Deri në 20,000 euro për një masë të vetme; Deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.
Për më shumë informacione mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet e thirrjes, ju lutemi vizitoni:
https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021
Aplikimi realizohet përmes platformës eKosova:
https://ekosova.rks-gov.net/
Përgjigje për pyetjet më të shpeshta në lidhje me grant skemën për energji të pastër: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2026/01/PERGJIGJE-PER-PYETJET-ME-TE-SHPESHTA-NE-LIDHJE-ME-THIRRJEN-PUBLIKE-PER-GRANT-SKEMEN-PER-ENERGJI-TE-PASTER.pdf
Afati i fundit për aplikim: 31.01.2026

