Inaugurohet laboratori i ri për monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në Mitrovicë, investim i qeverisë zvicerane
Mitrovicë, 27.11. 2025 – Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka inauguruar laboratorin e ri për monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e standardeve të kontrollit, sigurisë dhe shërbimeve për qytetarët e rajonit të Mitrovicës.
Ky laborator modern është realizuar falë mbështetjes së Programit për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), një iniciativë e bashkë-dizajnuar dhe bashkë-financuar nga Qeveria e Zvicrës dhe Qeveria e Kosovës. Pajisjet e reja dhe infrastruktura e përmirësuar do të mundësojnë analiza më të sakta, më efikase dhe më të besueshme të ujit të pijshëm.
Në ceremoninë inauguruese në emër të Ministrisë së Ekonomisë mori pjesë edhe znj. Vlora Tosuni, ushtruese e detyrës së Drejtorit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, e cila vlerësoi rëndësinë e projektit dhe partneritetin institucional që e ka bërë të mundur atë.
“Ky laborator përfaqëson një model të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Rezultati që shohim sot është dëshmi se investimet e orientuara mirë sjellin përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin”, u shpreh znj. Tosuni.
Ajo theksoi se investime të tilla përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit operativ, forcimin e kapaciteteve teknike dhe përmirësimin e transparencës në shërbimet publike.
“Laboratorë të tillë rrisin cilësinë e monitorimit, përmirësojnë besueshmërinë e analizave dhe ulin rreziqet për shëndetin publik. Për qytetarët e Mitrovicës, ky investim nënkupton siguri më të madhe dhe standarde më të larta në furnizimin me ujë të pijshëm”, tha Tosuni.
Inaugurimi i këtij laboratori shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sistemeve të kontrollit të cilësisë së ujit në nivel kombëtar dhe përfaqëson një garanci të shtuar për mbrojtjen e shëndetit publik dhe përmirësimin e shërbimeve esenciale për qytetarët.



