Kryeministri Kurti e ministrja Rizvanolli vizitojnë ndërtesat sociale dhe shkollat në Viti, ku po investohet në efiçencë të energjisë

Viti, 06.05.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar dy ndërtesa sociale në Komunën e Vitisë dhe shkollat, ku po realizohet një investim i rëndësishëm për rritjen e eficiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.

Në këto ndërtesa po kryhet izolimi i çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve të vjetruara, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri. Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunave prej 10% .

“Dëshirojmë që të kemi banesa të mira, të këndshme për banorët, sidomos për nënat vetushqyese që janë edhe kryefamiljare, që patëm rastin edhe t’i takojmë, ato rrisin fëmijët e tyre këtu dhe ato dëshirojnë që të kenë kushte të mira jetese dhe pikërisht për këtë gjë unë e falënderoj Ministrinë e Ekonomisë për investimet që po i bënë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, ministrja Rizvanolli theksoi se investimi në dy ndërtesa në Viti që po renovohen është pjesë e një projekti më të madh me financim prej mbi 6 milionë Euro, që do të renovohen 25 banesa sociale në të gjithë Kosovën, e të cilat investime janë pjesë e reformave më të gjëra që e vendosnin efiçiencën e energjisë në qendër të sektorit të energjisë.

Investimi prej 600 mijë euro përkrahet financiarisht nga Bashkimi Evropian me 90% dhe bashkë-financohet 10% nga komuna.

Aktualisht në renovim janë 5 objekte publike:

· Shkolla “28 Nëntori”,

· Shkolla “Nijazi Rexhepi”,

· Shkolla “Mirali Sejdiu”,

· Shkolla “Dëshmorët e Lubishtës”,

· Qendra për punë sociale.

Ndërsa kanë përfunduar investimet në 3 shkolla:

· Shkolla “Bafti Haxhiu”,

· Shkolla “Ndre Mjeda”, Kabash,

· Shkolla “Hysen Tërpeza”, Tërpezë.