Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli vizituan zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan

Zveçan, 28.04. 2025- Pas qëndrimit në Leposaviq, Kryeministri në detyrë i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanollin, Kryesuesin e  Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Pacin dhe Kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rracin, vizituan zyrën e Postës së Kosovës në qendër të qytetit të Zveçanit.

Kjo zyrë, e hapur me 31 mars 2025, ishte cak i një sulmi me granatë dore në fillim të muajit prill, megjithatë përkundër dëmeve materiale, zyra riktheu shërbimet e saj brenda më pak se dy ditësh nga sulmi, duke dëshmuar vendosmërinë e Postës dhe institucioneve të Kosovës.

Ajo është një nga tri zyrat e Postës së Kosovës në këtë komunë e cila ofron të gjitha shërbimet postare, si dhe shërbime tjera financiare, sikurse pagesa. Në kuadër të shërbimeve postare, përveç shërbimeve universale, ofrohen edhe shërbimet e shpejta express, si në trafikun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Qytetarët këtu mund të kryejnë të gjitha shërbimet postare dhe shërbimet tjera të pagesave.

Kryeministri Kurti falënderoi punëtorët e Postës, nga radhët e komuniteteve të ndryshme për mikpritjen. Ai përgëzoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Postën e Kosovës, që po bëjnë shtrirje gjithnjë e më të gjerë territoriale të shërbimit postar publik, e cila po vjen pas një suksesi të përgjithshëm të performancës së Postës së Kosovës.

Ai veçoi edhe një element të vizitës sot: “Muajin prill e patëm filluar me lajmet e hidhura për granatë dore ku njëra shpërtheu e tjetra jo, pikërisht në vendin ku ndodhemi sot. Por, këtë vizitë në fund të muajit, po e bëjmë në një situatë ku është e qartë për të gjithë qytetarët, se Posta nuk është vend i granateve, i bombave, po i letrave, pusullave, i mallrave, por qe besa edhe i dërgesave financiare që mund të merren në euro tash këtu në Zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan”.

Në fund, theksoi se me shtimin e bizneseve të ndryshme, qendrave tregtare, shitoreve, por edhe të atyre të prodhimit e të shërbimeve, degëve të bankave komerciale, natyrisht që edhe ndërmarrjet publike duhet të jenë dhe do të jenë gjithnjë e më të pranishme për hirë të qytetarëve pa dalluar askënd, por duke iu shërbyer të gjithë atyre.

Ndërsa, Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë të mbështesë Postën në zgjerimin e rrjetit të saj dhe avancimin e shërbimeve që ofron.

Ndërkohë, Posta e Kosovës është duke vazhduar me zgjerim dhe modernizim:

* 157 zyra postare aktive në gjithë territorin e Kosovës (+11%),
* 13 zyra aktive në katër komunat veriore,
* 259,000 euro fitim në vitin 2024,
* Investime në transport, infrastrukturë IT dhe shërbime të reja për qytetarët.