Rikthim i pronës publike dhe hapja e zyrës së re postare në Leposaviq

Leposaviq, 28.04.2025 – Në qendër të komunës së Leposaviqit, sot u hap pika e katërt e Postës së Kosovës në këtë qytet, e cila ndodhet në objektin e rikthyer nën menaxhim e kësaj ndërmarrje publike.

Të pranishëm në këtë përurim zyrtar ishin Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi,  Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci dhe kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci.

Me këtë rast, kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli ndan kartolina, nga zyra e re e Postës e hapur në Leposaviq.

Kryeministri Kurti përgëzoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviqit për punën, teksa  tha se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë.

“Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Më tej, ai theksoi se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me Kryeshefen e re, Nora Rracin, ajo operon me fitim, dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd komunave të Kosovës dhe përbrenda komunave, përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.

Ndërsa, Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë të mbështesë Postën në zgjerimin e rrjetit të saj dhe avancimin e shërbimeve që ofron.

“Posta e Kosovës, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, po e zbaton program e zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të saj. Si rezultat: Janë arritur 157 zyra postare aktive në gjithë Kosovën, duke shënuar një rritje prej 11%; Në katër komunat veriore operojnë tashmë 13 zyra postare; Është investuar në mjete të reja transporti, infrastrukturë IT dhe shërbime të reja postare dhe financiare. Posta e Kosovës ofron shërbime moderne për qytetarët, përfshirë transfere ndërkombëtare të parave, shpërndarjen e dokumenteve shtetërore dhe mbështetjen e zhvillimit të e-commerce”, tha Rizvanolli.

Kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi, falënderoi dhe përgëzoi qeverinë dhe postën për përurimin e sotëm dhe e ftoj këtë të fundit që të hapë edhe pika tjera në komunën që ai drejton.

Ndërkaq, Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci foli për planet e ndërmarrjes që udhëheq për të qenë sa më të pranishëm aty ka qytetarët kanë nevojë për shërbimet e operatorit publik, por edhe për rezultatet e zgjerimit të rrjetit të pikave të postës.