Ndërpritet veprimtaria e institucionit paralel të Serbisë në Shtërpcë

Prishtinë, 23.04.2025 – Policia e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë (ME) përmes Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, ka ndërprerë veprimtarinë e institucioneve paralele që veprojnë nën direktivat e Beogradit brenda territorit të Kosovës.

Kompania paralele e Serbisë, e cila u mbyll sot, është Kompania e Ujësjellësit dhe Mbeturinave “Novo Javno Preduzece”, e cila ka funksionuar në Shtërpcë.

Ministria e Ekonomisë, në përputhje me mandatet dhe mekanizmat e saj, është e angazhuar në shërbimin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur.

Ministria e Ekonomisë falënderon Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe kërkon nga autoritetet përkatëse, përfshirë Prokurorinë, që të kryejnë hetime të menjëhershme për të vlerësuar dëmet dhe përfitimet që kanë ardhur si pasojë e veprimtarisë së jashtëligjshme të këtij institucioni paralel të Serbisë.