Banesat sociale në Hajvali, shembull i transformimit përmes Efiçiencës së Energjisë
Banesat sociale në Hajvali, shembull i transformimit përmes Efiçiencës së Energjisë
Prishtinë, 22.04.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe me Drejtorin Menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, vizituan dy ndërtesa shumë-banesore sociale në Hajvali, në të cilat po investohet për efiçiencë të energjisë.
Dy ndërtesat e banimit social në Hajvali, të ndërtuara në vitin 2017 dhe që strehojnë rreth 100 familje; 50 familje të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 50 familje të skemës së asistencës sociale, po i nënshtrohen një transformimi të thellë përmes investimeve në efiçiencë të energjisë.
Me një sipërfaqe mbi 4,300 m² secila dhe një investim fillestar prej rreth 600 mijë euro, këto objekte për shumë vite kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat bazike të banorëve, veçanërisht gjatë dimrit ndërkaq sot kursimet në konsum të energjisë në këto dy ndërtesa janë rreth 40%.
Gjithashtu, u theksua se në disa prej ndërtesave publike, spitale e shkolla, të cilat janë izoluar në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë, kursimi i energjisë ka arritur deri në 90%.
Gjatë vizitës, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë e këtij projekti, “Efiçienca në banimin social është kthesë e rëndësishme për familjet në nevojë ku me këtë projekt të eficiencës, po i japim një jetë të re këtyre objekteve, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e banimit, dhe duke i kthyer banesat sociale në mjedise që ofrojnë siguri, ngrohtësi dhe cilësi jetese.
Transformimi energjetik fillon nga rrënjët – nga familjet që kanë më shumë nevojë për përkujdesje dhe përkrahje”, përfundoi ajo.
Këto janë vetëm 2 nga 25 objektet që aktualisht po rinovohen në të gjithë Kosovën, në kuadër të një investimi të përgjithshëm prej 6 milionë euro, që përfshijnë rreth 3,800 banorë ose 750 familje në nevojë:
Masat që po zbatohen përfshijnë:
• Izolimin termik të mureve të jashtme dhe kulmeve,
• Zëvendësimin e dritareve dhe dyerve,
• Instalimin e klimave efiçiente për ngrohje/ftohje,
• Rinovimin e hapësirave të përbashkëta, hyrjeve,
• Vendosjen e detektorëve të tymit dhe sistemit të interfonisë.
Projekti po zbatohet nga Fondit i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Bashkimi Evropian përmes një granti prej 90% dhe komunat përkatëse me 10% pjesëmarrje në bashkëfinancim.
Gjatë katër viteve të fundit, janë ndërmarrë reforma të thella në sektorin e energjisë:
• 75+ milionë euro të ndara për qytetarët dhe bizneset,
• 3,000+ shtëpi të izoluara,
• 40,000+ familje që përfitojnë pajisje efiçiente dhe kursejnë deri në 20% të energjisë së tyre dhe
• 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale.