Ministrja Rizvanolli: Punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, po zhvillohen sipas planit

Prishtinë, 10.04.2025 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë vizitës që ka zhvilluar dje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është njoftuar se punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, po zhvillohen sipas planit të paraparë. Me këtë rast, ministrja tha se me investimet që do të bëhen brenda vitit 2025, do ta rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 WW.

“Në KEK vizitova punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, i cili po zhvillohet sipas planit dhe i paraprin fillimit të modernizimit të turbinës në Bllokun B2 që do të fillojë në fund të prillit. Investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 MW, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do t’i rritet kapaciteti për 80 MW, prodhimi vjetor për 600 GWh, si dhe jetëgjatësia për 20 vite”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli u informua edhe për rrjedhjet që ndodhën në Bllokun B2, me ç’rast i njëjti ishte dashur të nxirret jashtë funksionit të martën pas mesnate.

Ministrja falënderoi punëtorët dhe menaxhmentin, të cilët po punojnë paralelisht në remontin e Bllokut B1 dhe në sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2.